Ultimatumi 48 orësh, vjen alarmi për Kurtin: Ky është skenari i Thaçit

  • 07 January 2020 - 15:02
Ultimatumi 48 orësh, vjen alarmi për Kurtin: Ky është skenari i Thaçit

“Ultimatumi i dhënë prej vetëm 48 orësh nga Hashim Thaçi për Albin Kurtin, është një kërcënim serioz se ai do ta bartë mandatin tek subjektet tjera politike të radhës ose do të çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. LVV-ja, duke pa si të pamundur krijimin e qeverisë pa marrëveshje politike me LDK-në, nuk pritet që t'ia propozojë zyrtarisht emrin e mandatarit presidentit Thaçi, për arsye të futjes në afatin kohor kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë. Në fakt, tashmë vendi po shkon drejt një krize të re politike dhe kushtetuese”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Florim Zeqa e ka cilësuar të dështuar takimin e zhvilluar në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

Sipas analistit Zeqa, nëse Vetëvendosje dhe LDK nuk merren vesh në afatin 48 orësh, ultimatum i dhënë nga Hashim Thaçi, atëherë presidenti do të kërkojë subjekt tjetër politik që është i gatshëm për të negociuar dhe formuar qeverinë e re të Kosovës, pa Vetëvendosjen.

Image
Florim Zeqa

“Takimi konsultativ në mes të Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit në ditën "D" të 6 Janarit 2020, tregoi se janë të kota përpjekjet për gjetjen e formulës së krijimit të institucioneve të reja të shtetit pa marrëveshje paraprake politike mes LVV-së dhe LDK-së. Pas takimit të Albin Kurtit me presidentin Thaçi dhe dy mbledhjeve të LDK-së, janë shtuar akoma më tepër dilemat e krijimit të qeverisë! Do të jetë kjo, një lindje e vështirë e “Qeverisë Kurti” apo abort i planifikuar politik”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, Kurti duhet ta merr seriozisht kërkesën e Hashim Thaçit, që për 48 orë të dërgohet propozimi, ndryshe VV dhe Albin Kurti mundë të përjashtohen fare lehtë nga loja.

“Ultimatumi i dhënë prej vetëm 48 orësh nga Hashim Thaçi për Albin Kurtin, është një kërcënim serioz se ai do ta bartë mandatin tek subjektet tjera politike të radhës ose do të çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. LVV-ja, duke pa si të pamundur krijimin e qeverisë pa marrëveshje politike me LDK-në, nuk pritet që t'ia propozojë zyrtarisht emrin e mandatarit presidentit Thaçi, për arsye të futjes në afatin kohor kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë. Në fakt, tashmë vendi po shkon drejt një krize të re politike dhe kushtetuese”, shton Zeqa për “Kosova Sot Online.

Sipas Zeqës, derisa vazhdojnë këto mosmarrëveshje mes partnerëve politikë, por edhe raportet e ditura kaherë të acaruara në mes të Thaçit dhe Kurtit, krijimi i institucioneve të reja mundë të futet në një situatë të pa qartë, për çka edhe do të mundë të shkohet deri tek kërkimi i interpretimit të ri nga Gjykata Kushtetuese. 

”Do ta kemi një situatë paradoksale të ngërçit politike, ku domosdo kërkohet ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese, për shkak të interpretimeve, (qëllimisht) të gabuara të ligjeve nga ana e subjekteve politike në garë për ndarjen e tortës qeveritare dhe luftës së re mes presidentit Thaçi dhe pretendentit për kryeministër Albin Kurti. Është e vërtetë se Hashim Thaçi si person fizik nuk ka të drejt që t'i vendos afate Kurtit, por sikurse ai, edhe Albin Kurti e kanë për obligim të zbatojnë ligjet dhe afatet kohore që përcakton kushtetuta e vendit pavarësisht inateve personale. Në anën tjetër, edhe LDK-ja nuk guxon të sillet edhe më tutje me kryeneçësi dhe lojë të dyfishtë pas zgjedhjes së kryeparlamentarit me votën e saj. Pra, LDK-ja duhet të deklarohet qartë dhe prerë, pro ose kundër koalicionit me LVV-në, e jo të bëjë kalkulime për interesat personale të liderit të saj”, theksoi në fund, analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)