Përfundon takimi tri orësh Kurti-Mustafa, ja detajet

  • 07 January 2020 - 15:35
Përfundon takimi tri orësh Kurti-Mustafa, ja detajet

(E plotësuar) - Takimi mes kryetarëve të LVV-së dhe LDK-së, Albin Kurti e Isa Mustafa, me bashkëpunëtorë, ka përfunduar në këto momente.

Mustafa nuk ka pranuar të deklarohet pas takimit.

Ndërkaq, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se takimi do të vazhdojë nesër ndonëse nuk ka shpalosur detaje nga takimi i së martës.

Image

Çfarë po ndodhë? Kurti dhe Mustafa që 3 orë në takim...

Ka mbi tre orë që në Kuvend të Kosovës ka filluar takimi në mes të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafës.

Albin Kurti e ka ndërprerë në gjysmë mbledhjen e kryesisë ku do t’i njoftonte për takimin e djeshëm me presidentin Hashim Thaçi, për të shkuar në takim me Mustafën.

Takimi i dy liderëve vjen në kohën kur dy partitë kanë acaruar raportet, për arsye se nuk po arrijnë që të dakordohen për ndarje të pozitave.

Dje, lideri i LV-së, Albin Kurti ka propozuar pesë emrat e tij për ministra, ndërsa, ka kërkuar që një gjë të tillë ta bëjë edhe LDK-ja.

Në partinë e Mustafës në anën tjetër kanë bërë të ditur se vazhdojnë të insistojnë në ndarje të barabartë të përgjegjësive.

Detajet e fundit, vazhdon takimi Kurti-Mustafa

Kanë kaluar më shumë se një 1 orë e 30 minuta që nga koha kur lideri i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa kanë filluar një takim për të tentuar të arrijnë një marrëveshje koalicioni.

Nuk dihet nëse takimet në nivel të kryesisë, që të dy liderët kanë mbajtur dje dhe sot, kanë ndikuar që të ketë marrëveshje.

Ky takim i tyre po ndodhë pas sa ditëve ‘idhnim’ . Albin Kurti sot përfundoi një takim me Kryesinë e Partisë. Dje ai takoi edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që ia dha 48 orë afat për ta dërguar propozimin për mandatar.

Kujtojmë se VV dhe LDK nuk janë takuar nga koha kur Kurti publikoi videomesazhin e parë, ku fajësoi LDK-në për mosarritje të koalicionit qeverisës, dhe sidomos raportet mes dy subjekteve u thyen kur VV njëanshëm votoi Glauk Konjufcën kryekuvendar.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka konsideruar punë të kryer çështjen e kreut të Kuvendit të Kosovës, që sipas marrëveshjes së parë me LDK-në, i takonte partisë së Isa Mustafës.

Përpjekjet për koalicion, nisë takimi Kurti – Mustafa

Në Kuvend të Kosovës ka filluar mbledhja e liderit të LV-së, Albin Kurtit, e kreut të LDK-së, Isa Mustafës ku do të diskutohet pas një pauze disa javore për koalicionin qeverisës.

Takimi Kurti – Mustafa vjen pasi që dy partitë kanë acaruar raportet mes vete, pas dështimit që të dakordoheshin për pozitat e vëna në tavolinë të diskutimit.

Rrjedhimisht, edhe në seancën konstituive të Kuvendit dy partitë shkuan pa marrëveshje.

Dallimet u shpërfaqën edhe më tutje kur Kurti e propozoi për kryeparlamentar Glauk Konjufcën, post ky që i kishte takuar LDK-së në marrëveshjen paraprake të bërë në mes të liderëve.

Tashmë Kurti ka bërë propozimet e tij për poste ministrore, ndërsa, ka kërkuar nga Mustafa që ta bëjë të njejtën.

(Kosova Sot Online)