Kurti: Ishim 6 veta në takim, Thaçi s’e përmendi afatin 48 orësh për caktimin e mandatarit

  • 07 January 2020 - 15:43
Kurti: Ishim 6 veta në takim, Thaçi s’e përmendi afatin 48 orësh për caktimin e mandatarit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur afatin prej 48 orësh ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albi Kurtit, që të propozojë mandatarin e Qeverisë së re të Kosovës, në mënyrë që qeveria të formohet sa më parë, ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë, këtë vendim të presidentit të Kosovës, një nga zyrtarët e Zyrës së tij.

“Të gjithë e pranojnë urgjencën për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Marrë parasysh këtë fakt, presidenti ia ka dhënë Kurtit 48 orë që të bëjë përpjekje që të paraqesë kandidatin për kryeministër. Natyrisht, kjo ka qenë kërkesë politike e bazuar në nevojën për të krijuar qeverinë e re, e cila do t’i shërbente nevojave të popullit. Shpresojmë që Kurti do ta propozojë kandidatin sa më parë”, thuhet në deklaratë.

Në anën tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha për Radion Evropa e Lirë që presidenti Thaçi, gjatë takimit konsultativ, në ditën e hënë, nuk ka folur për afate.

“Gjatë takimit te djeshëm të shkurtë konsultativ, i cili nuk mund të ketë efekte ligjore, presidenti nuk ka përmendur kurrfarë afatesh dhe nuk e ka përmendur shprehjen ‘48 orë’, e që më vonë është mundur të lexohet në publikimin e tij në Facebook. Gjatë takimit, i cili ka zgjatur më pak se 6 minuta, në dhomë kemi qenë 6 persona”, tha Kurti.

Mbledhja e kryesisë së Lëvizjes vetëvendosje, në të cilën duhet të vendoset për mandatarin për kryeministër të qeverisë së re, ka përfunduar për sot dhe pritet të vazhdojë ditën e mërkurë, para dite, ka thënë lideri i kësaj partie, Albin Kurti.

Ai ka shtuar që ndërprerja e mbledhjes ka ndodhur për shkak të angazhimeve të tjera. Ndërkohë, ai po ashtu ka theksuar që komunikimi me Lidhjen Demokratike të Kosovës është duke vazhduar dhe se do të takohet me kryetarin e kësaj partie, Isa Mustafën, sa më parë.

Kurti dhe Thaçi janë takuar të hënën për konsultime lidhur me caktimin e mandatarit për qeverinë e re. Por, Kurti ka shkuar në këtë takim pa një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën synon një koalicion për formimin e qeverisë së re. Në takimin me Thaçin, Kurti nuk e ka dhënë propozimin për mandatarin për kryeministër, duke thënë pas takimit që do ta informojë presidentin për këtë përmes një shkrese zyrtare, pas mbledhjes së Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Më pas, presidenti Thaçi, i ka dhënë Kurtit afat prej 48 orësh që të propozojë mandatarin “para si ai të ndërmarrë hapa të ardhshëm kushtetues dhe ligjor”.

Kurti, ndërkohë i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës që të vazhdojnë bisedimet për formimin e qeverisë së përbashkët dhe që ato bisedime t’i përmbyllin me një marrëveshje për bashkëqeverisje.

LDK-ja, të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë së saj, ka theksuar gatishmërinë për vazhdimin e bisedimeve me Vetëvendosjen, mbi bazën e mirëbesimit dhe partneritetit, duke porositur që “pushteti i balancuar dhe përgjegjësia e përbashkët janë me rëndësi esenciale për funksionimin e koalicionit të mundshëm”.

Marrëdhëniet ndërmjet dy partive janë komplikuar pas mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 26 dhjetor, kur për kryetar të këtij institucioni të lartë është propozuar dhe zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së një marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky pozicion, në bazë të bisedimeve të deriatëhershme, është dashur që t’i takojë LDK-së.

Avokati nga Kosova, Dastid Pallaska, ish-këshilltar i jashtëm për themelimin dhe funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese, thotë për Radion Evropa e Lirë që Kushtetuta nuk e parasheh se sa gjatë duhet të presë presidenti propozimin për kandidatin për kryeministër nga partia e cila ka fituar në zgjedhje. Megjithatë, ai thekson që partia politike e cila ka fituar në zgjedhje duhet të veprojë në mënyrë efikase, marrë parasysh që çdo prolongim i paarsyeshëm mund të prodhojë pasoja negative për vendin.

“Partia politike, e cila ka fituar në zgjedhje është e obliguar që të arsyetojë çfarëdo prolongimi, në qoftë se nevojitet kohë shtesë për lehtësimin e arritjes së marrëveshjes së koalicionit”, tha Pallaska.

Ai shtoi që bashkë me të drejtën për propozim të kandidatit, buron edhe obligimi që ajo e drejtë të shfrytëzohet dhe rrjedhimisht, partia fituese e zgjedhjeve nuk mund të prolongojë propozimin e kandidatit të saj deri në pafund dhe pa arsye.

Sipas tij, në rast se partia politike heq dorë nga përgjegjësia që ta propozojë kandidatin e saj për kryeministër në afat të arsyeshëm, presidenti mundet, por nuk e ka të domosdoshme, që të propozojë kryeministrin, të cilin kjo parti e ka deklaruar gjatë fushatës zgjedhore, në mënyrë që të parandalohet bllokimi kushtetues. Kjo, siç ka shtuar ai, do ta niste procesin e formimit të qeverisë dhe do të mundësonte materializimin e pasojave kushtetuese që dalin si rezultat i mossuksesit për të formuar qeverinë nga partia politike, e cila ka fituar në zgjedhje, pra, shpërndarjen e kuvendit në afat prej 60 ditësh nga dita që e nominimit të kandidatit për kryeministër.

Gjatë bisedimeve për qeverinë e përbashkët, të cilat kanë nisur menjëherë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, të dy partitë, ndonëse janë pajtuar për programin qeverisës, nuk kanë arritur që të pajtohen për ndarjen e përgjegjësive. LDK-ja ka insistuar që përveç kryetarit të kuvendit, zëvendëskryeministrit të parë dhe 5 ministrive, të marrë edhe pozitën e presidentit të vendit, në vitin 2021, kur edhe skadon mandati i presidentit aktual. Vetëvendosje, kishte shprehur mendimin që për pozitën e presidentit duhet të bisedohet më vonë.

(Kosova Sot Online)