Parashikimi: Ja formula e vetme për çlirimin e shtetit

  • 07 January 2020 - 19:45
Parashikimi: Ja formula e vetme për çlirimin e shtetit

“Burgu i Dyzit ose duhet të mbushet me hajna dhe kriminel të politikës dhe para politikes, ose duhet mbyllur fare. Kosova ka dy rrugë: ose t'i ndëshkoj të lartpërmendurit, ose gjithë populli t'i kap strajcat dhe të ik nga këtu. Rrugë të mesme nuk ka”, thotë analisti politik, Faik Krasniqi për Kosova Sot Online”.

 

Njohës të fushës së politikë dhe sistemit të drejtësisë, duke analizuar zhvillimet gjatë vitit 2019, konsiderojnë se ky vit ishte një vit i humbjes së madhe dhe dështimit të drejtësisë së inkriminuar kosovare për t’i nxjerrë ne bankën e të akuzuarve “peshqit” e mëdhenj, të cilët kanë bërë skandale e hajni, por askush nuk i prekë ata. 

Drejtësia kosovare, sipas analistëve  po vazhdon të mbetët një nga hallkat më të dobëta institucionale, dhe thuajse nuk ka pasur asnjë lëvizje dhe hap të vetëm drejt forcimit të shtetit ligjor. 

Image
Faik Krasniqi

Këtë konstatim e jep për “Kosova Sot Online”, analisti politik dhe njohës i afërt i zhvillimeve edhe në sistemin ë drejtësisë,  Faik Krasniqi.

”Në njërën anë Kosova vlon nga korrupsioni dhe krimi i organizuar institucional, kurse në anën tjetër s'kemi asnjë politikan të dënuar për vepra korruptive dhe kriminale. Është absurde. Kjo tregon sa e kapur është drejtësia në Kosovë. S'mund të flasim për drejtësi kur shumica e prokurorëve dhe gjykatësve janë të emëruar politikisht, dhe natyrisht që ata duhet t'i japin llogari bosëve të tyre”, thotë analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, shpresa e vetme për ndryshime mbetet krijimi pa vonesë i qeverisë së re, dhe mbajtja e premtimeve për reformat ë thella në drejtësi, në të gjitha shtyllat e zbatimit të ligjit në mënyrë që shkelësit e deritanishëm të ligjit të nxirren para drejtësisë dhe të gjykohen. 

“Kryeministri në ardhje Albin Kurti ka punë në drejtësi, por që është e zbatueshme. Ta pastroj menjëherë sistemin e drejtësisë, dhe të Prokurorisë. Të emërohen prokurorët trima dhe të pastër. Vetëm në këtë mënyrë do të goditeshin bandat kriminale të politikës dhe para politikës. Zinxhiri duhet të këputet dhe atë zinxhir dikush duhet ta këputë”, shton Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tija, pa masa të ashpra të pastrimit të institucioneve ligj-zbatuese, prokurorive dhe gjykatave, dhe pa burgosjen e abuzuesve të deritanishëm, nuk vihet drejtësia në binar. 

“Burgu i Dyzit ose duhet të mbushet me hajna dhe kriminel të politikës dhe para politikes, ose duhet mbyllur fare. Kosova ka dy rrugë: ose t'i ndëshkoj të lartpërmendurit, ose gjithë populli t'i kap strajcat dhe të ik nga këtu. Rrugë të mesme nuk ka”, përfundon analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)