Zbardhet skenari: Ja çfarë nënkupton ultimatumi 48 orësh, armiqësia Thaçi-Kurti...

  • 08 January 2020 - 07:29
Zbardhet skenari: Ja çfarë nënkupton ultimatumi 48 orësh, armiqësia Thaçi-Kurti...

“Lufta midis Thaçit e Albinit është e kahershme. Edhe dje u pa se nuk ka asnjë raport midis tyre. Urrejtja ishte e dukshme dhe mundë të shihej në ulje, në qëndrime, në sjellje e ku jo tjetër. Ata janë armiq të ashpër por, Kushtetuta i detyron në këto raporte dhe asnjëri nuk mund të iki. Tash pritet nga VV mandatari dhe ai ngarkohet nga Thaçi. Në atë moment fillojnë për të rrjedhur afatet kushtetuese. Dhe pa ato nuk ka zgjedhje”, thotë profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi e ka cilësuar sa të rëndësishëm, po aq edhe provokativ zhvillimin e takimit konsultativ në mes të presidentit, Hashim Thaçit dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

Sipas Kelmendit, kjo vizitë me duar bosh e Kurtit në kabinetin e Thaçit, e ka irrituar pa masë këtë të fundit, prandaj edhe i ka dhënë ultimatum të kundërligjshëm 48 orësh , që VV ta dërgojë propozimin për mandatarin për formimin e qeverisë së re.

Sipas Kelmendit, Thaçi e di mirë që edhe pas këtij afati kohor, ai nuk mundë të ndërmerr asnjë veprim juridik që del përtej normave të parapara me Kushtetutë, e që në këtë rast komunikimi dhe procesi për formimin e qeverisë së re, nuk mundë të del jashtë partisë së parë fituese e zgjedhjeve.

Image
Muhamet Kelmendi

“Takimi i bërë dje ishte shumë domethënës me kuptimin e krizës që e ka vendi. Natyrisht se sipas normave kushtetuese përcaktohet mundësia juridike që Presidenti të thërras partinë a koalicionin fitues dhe të kërkoj nga ai apo ajo paraqitjen e mandatarit për formimin e Qeverisë. Por, në takim nuk u bë kjo. Takimi kaloj shumë keq dhe bëri që të vij deri te një ultimatum pa bazë juridike. Në aspektin e kohës për caktim të mandatarit nuk ka afate kushtetuese. Mirëpo, kushdo që ka fituar duhet të japi mandatarin. Sa mundet të jetë kjo kohë nuk ka përcaktim. Z. Thaçi i dha afat prej 48 orëve. Kjo nuk do të thotë se ka të drejtë të merr masë tjetër juridike duke e tejkaluar VV-në . VV-ja i ka fituar zgjedhjet dhe as në rundin e pare dhe as në rundin e dytë të mandatarit për Qeveri nuk mund të përjashtohet. Neni 95, parag. 1,2,3 dhe 4 përcakton qartë se partia e parë apo koalicioni fitues e marrin mandatin”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse sipas Kelmendit, në këto paragrafe nuk caktohet koha dhe ajo nuk mundë të jetë pakufishëm e pa kufizuar, mirëpo amortizohet gradualisht në bazë të veprimeve, dhe krejt në fund vendoset nga Kuvendi, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje të reja duke ndërmarr veprimet për shpërbërjen eventuale të Kuvendit të posa formuar.

“Ajo nuk mund të shkon deri në pafundësi. Në një moment duhet të veprohet. Kërkohet që çështja të shkoj në Kuvend dhe aty të vendoset me votat e deputetëve. Pa këtë nuk mundë të caktohen zgjedhjet e reja. Vetëm me kalimin e kësaj procedure juridike caktohet atëherë nga Presidenti data e zgjedhjeve. Ato nuk mund të jenë në vonesë më gjatë se 40 ditë. Nuk ka rrugë tjetër”, sqaroi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sido qoftë, Kelmendi është i sigurt që takimi i parë në mes të Thaçit dhe Kurtit, përtej formës zyrtare, ka qenë edhe një takim provokativ, ngase armiqësitë mes Kurtit dhe Thaçit janë të thella dhe me traditë të gjatë kohore që nuk janë zbehur fare deri tani, por vazhdojnë të jenë akoma të tilla, gjë që është vërejtur edhe nga sjelljet e tyre gjatë takimit të djeshëm.

“Lufta midis Thaçit e Albinit është e kahershme. Edhe dje u pa se nuk ka asnjë raport midis tyre. Urrejtja ishte e dukshme dhe mundë të shihej në ulje, në qëndrime, në sjellje e ku jo tjetër. Ata janë armiq të ashpër por, Kushtetuta i detyron në këto raporte dhe asnjëri nuk mund të iki. Tash pritet nga VV mandatari dhe ai ngarkohet nga Thaçi. Në atë moment fillojnë për të rrjedhur afatet kushtetuese. Dhe pa ato nuk ka zgjedhje”, përfundon profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)