Porto Rikoja goditet nga tërmeti më i fuqishëm në më shumë se një shekull

  • 08 January 2020 - 08:51
Porto Rikoja goditet nga tërmeti më i fuqishëm në më shumë se një shekull

Guvernatorja e Porto Rikos, Wanda Vazquez, e shpalli gjendjen emergjente dhe i angazhoi rojet kombëtare të martën pas një vargu të tërmeteve, përfshirë një me fuqi prej 6.4 ballësh. Kjo dridhje ishte më e fuqishmja që e ka goditur vendin e vogël në 102 vjetët e fundit.

Raportohet se së paku një person ka vdekur nga tërmeti. Një pjesë e madhe e ishullit ka mbetur pa furnizim me energji elektrike, ndërsa 300 mijë konsumatorë nuk kanë ujë të pijes. Lajmin e bëri të ditur vetë governatorja gjatë një konference për medie.

Për shkak të dëmtimit të shtëpive dhe ndërtesave, së paku 340 persona kanë mbetur të pastrehë.

Porto Rikoja është de fakto territor nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara dhe shpallja e gjendjes emergjente do të ndikojë që të sigurohen më lehtë fonde dhe ndihma nga Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave.

Ishulli është goditur nga disa tërmete që nga 28 dhjetori i vitit të kaluar. Instituti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se dhjetë tërmete ishin më të fuqishëm se katër shkallë të Rihterit.

Të hënën, bregdeti jugor i Porto Rikos u godit nga një tërmet prej 5.8 shkallësh, nga i cili u dëmtuan disa shtëpi, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)