Grenell: S’duam luftë me Iranin, do të përgjigjemi nëse na vritet ndonjë ushtar

  • 08 January 2020 - 12:03
Grenell: S’duam luftë me Iranin, do të përgjigjemi nëse na vritet ndonjë ushtar

Ambasadori amerikan në Berlin Richard Grenell thotë se presidenti Donald Trump nuk dëshiron një luftë me Iranin, por një zgjidhje diplomatike.

Grenell paralajmëroi që Uashingtoni do të hakmerrej nëse Teherani kalon ‘vijën e kuqe’, dhe kjo do të ishte vdekja e një ushtari amerikan ose aleat.

Irani shënjestroi dy baza ushtarake amerikane në Irak natën e kaluar, në shenjë hakmarrje për vrasjen e komandantit të njësisë Kuds, Qaseem Suleimani. 

“Presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk dëshiron luftë. SHBA po bën gjithçka për ta parandaluar atë. Ne po bëjmë gjithçka mundemi për të mbrojtur forcat dhe diplomatët tanë. Trump dëshiron të flasë dhe të përfundojë gjithçka në mënyrë diplomatike, por kjo varet nga iranianët”, tha Grenell për gazetën gjermane “Bild”.

Sidoqoftë, ai paralajmëroi qartë Iranin që Trump nuk lë asnjë dyshim se SHBA do të përgjigjeshin nëse Teherani “kalon vijën e kuqe” dhe linja do të kalohej nëse do të vritej një ushtar amerikan ose aleat.

Shtetet e Bashkuara, shtoi ai, po monitorojnë nga afër situatën, veçanërisht Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtrinë.

“Kjo nuk do të na befasojë. Ne filluam përgatitjen disa javë më parë. Por Presidenti Trump ka zgjedhur të ndalojë këtë luftë. Ne duam t’i sjellim trupat tona në shtëpi. Ne nuk duam më këto konflikte”, tha Grenell, i cili konsiderohet një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit amerikan.

(Kosova Sot Online)