A ka gjasa për viza në 2020-ën, këto janë datat kur mund të merret vendimi për Kosovën

  • 08 January 2020 - 12:28
A ka gjasa për viza në 2020-ën, këto janë datat kur mund të merret vendimi për Kosovën

Qytetarët e Republikës së Kosovës vazhdojnë të jenë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk kanë të drejtë të lëvizin të lirë në Zonën Schengen. Liberalizimi i vizave edhe përkundër faktit që u premtua ndër vite vazhdon të jetë një cak i paarritshëm. Derisa nga institucionet e Bashkimit Evropian ishte pohuar disa herë radhazi se Kosova ka plotësuar zyrtarisht të gjitha kushtet për të marrë liberalizimin e vizave, nga shtetet anëtare vijnë sinjale negative.

Franca e presidentit Macron dhe Holanda janë dy prej vendeve më skeptike sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, megjithatë Gjermania e kancelares Angela Merkel është një mbështetëse e fuqishme e Kosovës që kërkon me ngulm dhënien e dritës së gjelbër për kosovarët që të lëvizin pa viza.

E duket se viti 2020 do të jetë viti ideal për të ndodhur një gjë e tillë, duke qenë se dy vendet mike të Kosovës, Kroacia dhe Gjermania do të udhëheqin me presidencën e Bashkimit Evropian.

Kroacia do të udhëheq me BE’në nga 1 janari 2020 deri në qershor, ndërkohë përgjatë kësaj periudhe sa do të udhëheq Kroacia, Këshilli i Bashkimit Evropian do të mblidhet dy herë, takimet këto ku edhe potencialisht mund të merret ndonjë vendim. 

Sipas një dokumenti zyrtar që ka siguruar media, Këshilli i Bashkimit Evropian do të mblidhet më 26 dhe 27 mars dhe më 18 dhe 19 qershor, por duke parë zhvillimet e brendshme në Kosovë dhe gjithashtu disponimin brenda BE’së përgjatë këtyre dy mbledhjeve të Këshillit vështirë se do të mund të merret ndonjë vendim.

Kosova vazhdon të jetë ende pa institucione edhe përkundër se kanë kaluar më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve, ndërkohë kërkesa kryesore e shteteve anëtare të cilat janë skeptike për liberalizimin e vizave është peroformanca pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjasat më të mëdha do të jenë që liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodhë në pjesën e dytë të vitit 2020, duke qenë se Gjermania do të vazhdojë me udhëheqjen e presidencës së Bashkimit Evropian.

Ndërkohë Kosova me shumë gjasë do të instalojë institucionet e reja dhe potencialisht mund të rriten dhe përpjekjet për plotësimin e kushtit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që kërkohet nga Franca e Macronit dhe nga disa shtete anëtare të tjera.

Gjermania vazhdimisht ka shprehur hapur përkrahjen për Kosovën në procesin e  liberalizimit të vizave. Ministri i Punëve të Brendshme i Gjermanisë, Horst Seehoher, kishte takuar në Berlin kryeministrin në largim, Ramush Haradinajn, vitin që kemi lënë pas. Pas atij takimi Haradinaj kishte filluar madje edhe të uronte për liberalizimin, duke marrë parasysh fuqinë e Gjermanisë brenda BE’së.

Ndërkohë se liberalizimi do të mund të jetë një dhuratë për Krishtlindje e kishte thënë edhe deputeti i partisë së kancelares, Angela Merkel, gjatë vizitës së tij të parafundit në Kosovë.

Megjithatë një gjë e tillë nuk kishte ndodhur edhe përkundër mbështetjes gjermane, si pasojë e vetos së presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Se viti 2020 do të jetë një vit i artë sa i përket mundësisë që kosovarët të lëvizin lirshëm brenda Schengenit, e ka thënë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli.

“Viti 2020, vit i artë për liberalizim të vizave për Kosovën”, kështu është shprehur Kasapolli.

(Kosova Sot Online)