ShBA-ja i kërkon leje Qipros për vendosjen e një skuadre të reagimit të shpejtë

  • 08 January 2020 - 14:37
ShBA-ja i kërkon leje Qipros për vendosjen e një skuadre të reagimit të shpejtë

Qeveria e Qipros ka bërë të ditur se e ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e një ekipi të reagimit të shpejtë në vendin ishullor pas rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme.

Zëdhënësi i qeverisë qipriote, Kyriacos Koushos, tha se kërkesa e Shteteve të Bashkuara është pranuar ekskluzivisht për arsye humanitare.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara ditë më parë e kanë evakuuar stafin diplomatik nga ambasada në Irak për shkak të sulmit nga militantët e përkrahur nga Irani. Ky zhvillimi ishte pikënisje e konfliktit që tashmë ka marrë përmasa më të gjera.

Pas sulmit ndaj ambasadës në Irak, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Irani do të paguajë çmim të lartë për këtë veprim. 

Të premten e kaluar, forcat amerikane e vranë me dron gjeneralin iranian të forcave Kuds, Qasem Soleimani.

Në orët e hershme të së mërkurës, Irani i sulmoi me raketa dy baza ushtarake në Irak, në të cilat ishin të stacionuara forcat amerikane dhe forcat e disa vendeve të tjera. Pasojat e tyre në njerëz dhe në dëme materiale ende nuk janë të qarta, shkruan “France24”.

(Kosova Sot Online)