Përfundon takimi Vetëvendosje-LDK, ja detajet

  • 08 January 2020 - 15:02
Përfundon takimi Vetëvendosje-LDK, ja detajet

(E plotësuar) - 

Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një komunikatë në pasditen e së mërkurës, pas takimit të radhës që kreu i saj, Albin Kurti, ka zhvilluar me udhëheqësin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisjen e vendit.

“Në kuadër të rifillimit të bisedimeve, në takimin e sotëm ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati përafrim”, ka thënë Vetëvendosje.

Partia që doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit ka bërë të ditur se “takimi i radhës drejt marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV-LDK është nesër”.

Kurse zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, ka folur pas takimit tre orësh në mes të krerëve të LDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Mustafa ka thënë se ka lëvizje të pozicioneve të dy partive, dhe ka paralajmëruar edhe një takim për nesër.

“Takimi që ka filluar në ora 15:00, tani më ka përfunduar. Kemi një lëvizje në përpjekjen për të arritur marrëveshjen në mes të dy palëve. Do të kemi edhe një takim të ardhës nesër, për detajet natyrisht ju njoftojmë nesër”, ka thënë Mustafa.

Vazhdon takimi në Kuvend– ja çfarë ofron Kurti për Mustafën

Krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur sot në orën 15:00 në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për të vazhduar negociatat e rifilluara dje, në përpjekje e sipër për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Ky takim është duke vazhduar për gati dy orë, ndërkohë nga dy partitë para takimit ka pasur pritje se në tavolinën e negociatave do të propozohen oferta konkrete për një marrëveshje të mundshme koalicioni.

Ndërkohë lideri i VV’së, Albin Kurti, pasi ka dalë nga mbledhja e Kryesisë së partisë, teksa po nisej drejt Kuvendit për takimin me Isa Mustafën ka thënë se marrëveshja është shumë afër.

Takimi i ditës së djeshme kishte zgjatur më shumë se tre orë, dhe ka shënuar kështu rinisjen e negociatave mes dy partive të cilat ishin ndërprerë përpara seancës së 26 dhjetorit.

Nis takimi në Kuvend

Albin Kurti dhe Isa Mustafa kanë nisur takimin e sotëm.

Të njëjtit takimin sërish janë duke e zhvilluar brenda Kuvendit të Kosovës.

Media ka raportuar më herët se VV pritet që të shkojë në takim me LDK-në me një propozim konkret të ndarjes së pushtetit.

Siç merr vesh media, Vetëvendosje në oferte ka vendosur që LDK-ja t’i ketë gjashtë ministri dhe presidentin, kështu kanë thënë burimet burime brenda VV-së. Por në anën tjetër, në LDK kanë thënë në kushte anonimiteti se nuk do ta pranojnë këtë oferte.

Sipas këtij burimi, LDK-ja kërkon 7 ministri dhe presidentin.

Mustafa mbërrin në Kuvend, Kurti: Marrëveshja është shumë afër

Ka arritur në Kuvend të Kosovës, lideri i LV-së, Albin Kurti.

Për pak minuta pritet që Kurti të fillojë në Kuvend takimin me liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i partisë, Isa Mustafa.

Kurti: Marrëveshja është shumë afër

Kreu i LV-së, Albin Kurti para nisjes për në Kuvend të Kosovës aty ku do të takohet me liderin e LDK-së Isa Mustafën ka folur shkurtimisht para mediave. Kurti ka deklaruar se marrëveshja për koalicion është shumë afër.

“Shpresoj që tash pasi që kanë rifilluar bisedimet edhe do të shkojmë me shpejtësi drejt arritjes së marrëveshjes që edhe ashtu është shumë afër”, deklaroi para mediave lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.

Image

Mustafa mbërrin në Kuvend për ta nisur takimin me Kurtin

Kanë arritur në Kuvend të Kosovës, zyrtarë të Lidhjes Demokratike aty ku për pak pritet që të mbahet takimi me kreun e LV-së, Albin Kurtin.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa është parë duke hyrë në Kuvend së bashku me nënkryetarët e partisë, Agim Veliun, Lutfi Hazirin dhe Vjosa Osmanin.

Takimi fillimisht ishte paraparë që të nis në ora 14:00, mirëpo, me kërkesë të LDK-së, është shtyrë për një orë.

(Kosova Sot Online)