Analizë: A do të thellohet edhe më tej konflikti ShBA-Iran

  • 08 January 2020 - 15:57
Analizë: A do të thellohet edhe më tej konflikti ShBA-Iran

Duke i pasur parasysh rëndësinë e gjeneralit Qasem Soleiman dhe ndjenjat që i shkaktoi vrasja e tij, sulmi ushtarak i Iranit ndaj bazave amerikane në Irak ishte një kundërpërgjigje modeste.

Jonathan Marcus

Irani ka pretenduar se iu ka shkaktuar pasoja të konsiderueshme Shteteve të Bashkuara, por një gjë e tillë nuk po duket në realitet. Shtetet e Bashkuara thanë se radarët e saj dhanë alarmin për sulme dhe raketat iraniane duket se kanë rënë në zonat ku nuk ka pasur forca amerikane.

Pyetja që shtrohet tash është se çfarë do të ndodhë më tutje. A është ky fundi i hakmarrjes së Iranit? Vetëm koha do të na tregojë.

Çfarëdo reagimi dramatik i Iranit – vrasja e ndonjë zyrtari të lartë amerikan, për shembull, do të merrte kohë dhe do të varej nga planifikimi i hollësishëm dhe mundësitë e dhëna.

Irani ka thënë se do të kundërpërgjigjet. Tha se ky reagim do të vinte nga ushtria iraniane dhe jo nga ndonjë aleat apo grup që e kontrollon ai. Duke i përdorur raketat e lëshuara nga territori i vet, Irani e ka bërë atë që tha se do ta bënte.

Vërtet, atmosfera fillestare nga Tehrani dhe Uashingtoni lë të kuptohet se ekziston potenciali për zbutje të situatës.

Postimi fillestar i Donald Trump-it në Twitter ishte i butë dhe dëshmonte për mungesën e pasojave në njerëz nga radhët e forcave amerikane. Pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme, të njëjtën gjë e sinjalizuan edhe iranianët, duke lënë të kuptohet se ky mund të jetë momenti që të dyja palët të pushojnë dhe të marrin frymë. Është e qartë se as Shtetet e Bashkuara, as Irani, pavarësisht retorikës së ashpër, nuk e dëshirojnë një konflikt më të gjerë.

Pra, ky mund të jetë momenti për t’u bërë përpjekje që tensionet të zvogëlohen. Megjithatë, kjo është vetëm një rritje e rrezikshme e një gare në ardhje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për ndikim rajonal. Është vështirë të shohim ndryshim të politikës iraniane. Ky vend do t’i vazhdojë përpjekjet për realizimin e qëllimeve rajonale, jo më pak se largimin e forcave amerikane nga Iraku. Zyrtarët amerikanë këmbëngulin se ata nuk kanë dëshirë dhe arsye për t’u tërhequr.

Është e rëndësishme të sjellim ndër mend se ky episode i përplasjes së drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është paraprirë nga një fushatë e gjatë iraniane për pengimin e aktiviteteve amerikane në rajon. Vërtet, sulmet me raketa nga grupet e përkrahura nga Irani ndaj bazave amerikane në Irak ishin prelude për këtë krizë. Kjo pastaj e krijon një seri të pyetjeve.

A e ka krijuar ndonjë masë parandaluese ShBA-ja përmes vrasjes së komandantit Soleimani? A do t’i detyrojë Tehrani aleatët e vet në rajon për të nxitur më shumë sulme kundër bazave amerikane? Nëse jo, a do të vazhdojnë sulmet e përkrahura nga Irani? Çfarë do të bëjë pastaj presidenti amerikan, Donald Trump?

Pra, a ka përfunduar kriza? Ky do të mund të ishte fundi i një episodi veçanërisht të rrezikshëm, por tensionet e ashpra rajonale dhe rivalitet strategjik do të vazhdojnë. Vdekja e gjeneralit Soleimani do të jetë hije gjatë marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për shumë vjet në të ardhmen.

(Kosova Sot Online)