“Humbja e 6 tetorit”, vjen goditja e rëndë për Kadri Veselin dhe PDK-në

  • 09 January 2020 - 07:44
“Humbja e 6 tetorit”, vjen goditja e rëndë për Kadri Veselin dhe PDK-në

“PDK më shumë fundoset nëse i rikthen në parti njerëzit me njolla, por jo edhe të njëjtit duke i mbajtur larg partisë. Më mirë pak njerëz dhe cilësore, se sa njerëz që i kanë shkaktuar dëme të mëdha këtij vendi me afera të ndryshme kriminale dhe korruptive”, thotë analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi i sheh si shumë serioze dhe me pasoja e përplasjet brenda PDK-së për të ardhmen e partisë Kadri Veselit.

Madje, duke u nisur nga një letër kritike e adresuar nga Lirak Çelaj ndaj Veselit, analisti Krasniqi thekson se kjo më së miri e shpërfaq gjendjen e rëndë, dhe të pa shpresë për të ardhmen e PDK-së edhe për shumë vite të tjera.

Image
Faik Krasniqi

“PDK-ja ka punë për t’u reformuar, sepse për dy dekada njerëzit e saj janë zhytur thellë në afera të ndryshme korruptive dhe kriminale. Njollat e këtyre njerëzve nuk mundë të pastrohen nga këto gjykata që janë bërë lavatriqe për pastrimin e njollave të hajnave dhe kriminelëve të politikes dhe para politikës. Por reformat brenda kësaj partie nuk mund të bëhen as me njerëzit e tillë duke i ricikluar nga lavatriqet e gjykatave, por as me servilët e shumtë që i ka grumbulluar, njerëz pa asnjë vlerë dhe ide për politikbërje. Kjo vlen edhe për partitë e tjera që janë konsumuar në pushtet”, thotë analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Prandaj, sipas Krasniqit PDK është më afër dekompozimit dhe shpërbërjes, sesa reformimit dhe rimëkëmbjes.

“PDK më shumë fundoset nëse i rikthen në parti njerëzit me njolla, por jo edhe të njëjtit duke i mbajtur larg partisë. Më mirë pak njerëz dhe cilësore, se sa njerëz që i kanë shkaktuar dëme të mëdha këtij vendi me afera të ndryshme kriminale dhe korruptive. Lirak Celaj e ka hallin e tij personal, të partisë apo të Kosovës? Unë them se e ka hallin e tij personal, sepse edhe ky ka qenë pjesë e një pushteti ku partia e tij ka bërë kërdinë gjatë qeverisjes prej 12 vitesh rresht”, shton Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Krasniqi hedhë akuza të rënda ndaj Lirak Çelajt.

“Kurrë nuk e ka ngritur zërin për të bëmat e njerëzve të kësaj partie, por atij i kanë interesuar gjithmonë postet dhe privilegjet që i ka përfituar nga pushteti. As ky nuk ka ndonjë dallim me keqbërësit e shtetit brenda partisë. Siç thashë edhe më lartë, reformat në PDK dhe në asnjë parti s'mund të bëhen me njerëz që shtetin e kanë dërguar buzë greminës, por as edhe me njerëz që s'kanë ide për asgjë, e aq me pak për politikë”, përfundon analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)