Nga Lufta Koreane, vrasja e Soleimanit e deri te vendosja e rusëve në Kosovë: Momentet kur bota ishte në prag të Luftës së Tretë Botërore

  • 09 January 2020 - 08:17
Nga Lufta Koreane, vrasja e Soleimanit e deri te vendosja e rusëve në Kosovë: Momentet kur bota ishte në prag të Luftës së Tretë Botërore

Vrasja e gjeneralit iranian Qassem Soleimani ka sjellë në pah mundësinë e një lufte tjetër të madhe, botërore.

Gjenerali iranian u vra në një sulm me dron amerikan pranë aeroportit të Bagdadit, – dhe vdekja e tij ka çuar në tensione midis dy vendeve – çfarë thuhet se nuk janë parë deri më tani. 

Si përgjigje, iranianët kanë lëshuar raketa në drejtim të bazave me trupat amerikane në Irak.

Dhe tani, në epokën e rrjeteve sociale dhe mediave masive, gjithnjë e më shumë flitet se planeti kërcënohet nga Lufta e Tretë Botërore.

Bëhet fjalë për parashikime të zeza që kanë qenë tema kryesore në mënyrë të përsëritur përgjatë historisë, që nga viti 1945.

Në këtë drejtim, mediat kanë sjellë disa ngjarje madhore që u konsideruan aq problematike sa që mund të provokonin një luftë botërore.

Lufta Koreane (1950-1953)

Kjo luftë u zhvillua për mbizotërimin e Gadishullit Korean.

Koalicioni Komunist përfshinte Korenë e Veriut, Kinën dhe Bashkimin Sovjetik, ndërsa nga ana tjetër, Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Komanda e Kombeve të Bashkuara.

Shumë besuan se konflikti do të çonte në një luftë totale midis tri vendeve (SHBA-së, BRSS-së dhe Kinës).

“Sipas mendimit tim, përgjigjja është po. Koreja është fillimi i Luftës së Tretë Botërore”, kishte shkruar korrespondenti i CBS, Bill Downs në vitin 1951.

Kriza e Berlinit (1961)

Kriza e vitit 1961 ishte një konfrontim politiko-ushtarak ndërmjet SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik në “Pikë-kontrollin Charlie”.

Trupat e njërës dhe tjetrës palë kishin qëndruar vetëm 100 metra larg njëri-tjetrës.

Arsyeja ishte statusi i kryeqytetit gjerman Berlin në epokën e pasluftës.

Kriza filloi me kërkesën sovjetike për tërheqjen e forcave të armatosura nga Berlini, përfshirë forcat e armatosura perëndimore nga Berlini Perëndimor.

Kriza arriti kulmin me ngritjen e Murit të Berlinit dhe përfundoi më 28 tetor 1961.

Kriza e raketave në Kubë (1962)

Ky ishte një nga momentet kritike të Luftës së Ftohtë, që solli botën në prag të shkatërrimit bërthamor.

Konflikti u parapri nga vendosja e raketave me rreze të mesme amerikane në Turqi në vitin 1959. Raketa të ngjashme u vendosën edhe në Itali.

Përgjigja ishte kur BRSS instaloi raketa bërthamore në Kubë në vitin 1962, për të cilat SHBA-ja tha se kërcënonin sigurinë e saj.

Kriza u përshkallëzua në fund të tetorit 1962 me bllokadën e Kubës nga Shtetet e Bashkuara.

Pas disa ditësh tensionesh dhe një “lojë nervash”, në të cilën lojtarë kryesorë ishin John F. Kennedy, Nikita Khrushchev dhe Fidel Castro, Bashkimi Sovjetik tërhoqi armët dhe nga ana tjetër mori një garanci të Shteteve të Bashkuara se nuk do të sulmonte Kubën.

Njëmbëdhjetë muaj pas marrëveshjes Kennedy- Khrushchev, armët bërthamore të SHBA-së në Turqi u çaktivizuan.

Gjithashtu u arrit një marrëveshje për krijimin e një “linje të nxehtë” (të ashtuquajtur ‘Telefoni i Kuq’) midis Moskës dhe Uashingtonit.

Lufta Indi-Pakistan (1971)

Kjo luftë është e lidhur me luftën civile pakistaneze gjatë së cilës Bangladeshi fitoi pavarësinë. Lufta u zhvillua nga 3 dhjetori deri në 16 dhjetor të vitit 1971.

Ajo përfundoi me humbjen pakistaneze.

Forcat indiane fituan rreth 5,795 kilometra katror tokë në perëndim, por kjo u kthye në vitin 1972 nën Marrëveshjen e Simla si një gjest i vullnetit të mirë.

Incidenti Raketor Norvegjez (1995)

Në orët e hershme të 25 janarit 1995, nga brigjet veriperëndimore të një ishulli të vogël në Norvegji, një raketë norvegjeze-amerikane “Black Prant XII” u ngrit për eksplorim të dritës polare.

Nisja e raketës së eksplorimit kaloi pa probleme, por askush nuk e dinte që bota do të ishte në prag të luftës bërthamore atë ditë.

Stacioni rus në Olengorsk keqinterpretoi sinjalin, dhe menjëherë pas marrjes së informacionit, Presidenti Boris Yeltsin autorizoi forcat strategjike ruse që të përgatiteshin për reagim.

Sidoqoftë, ashtu siç diktojnë rregullat, për të mos qenë një vendim fatal i nxituar, gjeneralët rusë kërkuan edhe një herë një provë fluturimi. Ishte një surprizë, që solli lehtësim për të gjithë.

Aeroporti i Prishtinës, Kosovë (1999)

Ushtarët rusë dhe britanikë qëndruan ballë për ballë, në mes të qershorit të vitit 1999 në rrugën që çon në Aeroportin e Prishtinës në krizën më të rëndë që shpërtheu midis Rusisë dhe Perëndimit që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Komandanti i NATO-s, Wesley Clark, lëshoi një urdhër për vendosjen në aeroport.

Në një deklarim të tij, gjenerali i NATO-s, Sir Michael David Jackson, ish-komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, ka dhënë detaje lidhur me takimin me kontingjentin rus në Aeroportin e Prishtinës në vitin 1999.

Ai ka thënë se ka qenë e vështirë të bisedohet me rusët, por nuk është bërë fjalë për Luftën e Tretë Botërore.

“Unë shkova në aeroport për t’u takuar me komandantin rus dhe ishte vështirë që të bisedoja me të mirë. Ne arritëm aty dhe ishim në gjendje që të integroheshim me kontingjentitn rus në KFOR, por nuk ka qenë nëse do të fillonte Lufta e Tretë Botërore”.

Tensionet zgjatën plot tri ditë.

Gjithsesi, përveç këtyre, shpesh dëgjohet në botë se do të shpërthejë një luftë tjetër botërore. Një shembull është lufta kundër terrorizmit, e cila shumë lehtë mund të ishte shndërruar në një konflikt të madh të armatosur pas sulmeve të tmerrshme në SHBA dhe Francë. 

(Kosova Sot Online)