Krimi makabër në Ballsh/ “Ju lutem më falni, e kam frikë burgun…”, shpërthen në lot 16 vjeçari

  • 09 January 2020 - 10:20
Krimi makabër në Ballsh/ “Ju lutem më falni, e kam frikë burgun…”, shpërthen në lot 16 vjeçari

Tre të rinjtë e arrestuar për vrasjen e 50-vjeçares në Mallakastër, Drita Saliaj kanë pranuar krimin e rëndë, edhe pse fillimisht kanë hezituar të flasin. Madje, nipi i burrit të viktimës, Lusi Saliaj ka filluar të qajë gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë, duke u shprehur se kishte frikë të shkonte në burg.

Burimet policore shpjegojnë se ai ka pranuar krimin, duke thënë se u duheshin paratë, por çdo gjë u iku nga kontrolli pasi gruaja e kishte njohur dhe kishte nisur të bërtiste.

“Neve donim vetëm të merrnim paratë. Ajo më njohu dhe filloi të bërtiste, duke na trembur se mund të na gjente Policia brenda. Nuk e kishim menduar ta vrisnim. Na doli jashtë kontrollit situata. Ju lutem, më falni se e kam frikë burgun”, mësohet të ketë thënë për grupin hetimor adoleshenti Luis Saliaj.

Krimin e kanë pranuar edhe shokët e tij, bashkëpunëtorë. Edhe ata kanë thënë se nipi i familjes i ka orientuar duke u thënë se në shtëpi nuk ka njerëz, por kur kanë ndeshur në rezistencën e gruas, kanë bërë edhe lidhjen e saj dhe më pas vrasjen dhe hedhjen në rezervuar.

Sipas informacioneve të grupit hetimor, gjendja e tyre psikologjike është mjaft e rëndë, ndërsa gjatë gjithë kohës 16-vjeçari, i cili është edhe nipi i burrit të viktimës, ka qenë duke qarë. Pas zbardhjes së krimit të rëndë, në polici janë shoqëruar edhe familjarët e viktimës dhe autorëve të dyshuar.

Të afërmit e 50-vjeçares që bënë edhe denoncimin mëngjesin e së martës për zhdukjen e saj, kanë hedhur akuza të rënda ndaj të rinjve. Ata janë shprehur se autorët duhet të vuajnë dënimin më të rëndë për veprimin që kanë kryer. Ndërkohë, familjarët e autorëve janë pyetur nëse kanë pasur dijeni rreth veprimeve të të rinjve.

Po ashtu, ata mësohet të jenë shprehur se ditët e fundit i mituri ka qenë mjaft i heshtur dhe rrinte i menduar. Por kjo nuk i ka shtyrë ata që ta pyesnin se çfarë kishte ndodhur me të. Ngjarja ka ndodhur më 5 janar, ndërsa Policia bëri me dije se janë arrestuar tre persona për vrasjen, nipin e burrit të viktimës dhe dy shokë të tij.

(Kosova Sot Online)