Skandalet me Kosovën, vjen akuza e rëndë ndaj Edi Ramës

  • 09 January 2020 - 19:30
Skandalet me Kosovën, vjen akuza e rëndë ndaj Edi Ramës

“Edhe fshirja nga harta të shtetit të Kosovës te "Udhëzuesit për Investime në Shqipëri", ashtu sikurse harta e Kosovës nuk është as te disa tekste shkollore por edhe postimi i paradokohshëm në portalin kryeministror të hartës së Ballkanit pa Kosovën si shtet, pas takimit Rama-Vucic-Zaev për mini shengenin, këto janë provokime shumë të rënda kundër Kosovës , Shtetit dhe pavarësisë së saj”, thotë Kapiti për “Kosova Sot Online”.

 

Dukë analizuar sjelljet provokuese kundër shtetit të Kosovës që po vijnë kohët e fundit nga ana e Qeverisë së Shqipërisë e udhëhequr nga Edi Rama, duke e paraqitur edhe për herë të dytë Kosovën si pjesë të shtetit të Serbisë, ka reaguar analisti politik, Skënder Kapiti, sipas të cilit Edi Ramës dhe grupit të tij, i nevojitet ta bëjë vetëm edhe një hap përpara në këtë drejtim kundër Kosovës, për tu deklaruar se ai është edhe kundër pavarësisë së shpallur nga Serbia.

Image
Skender Kapiti

“Aktualisht pushteti i sotëm në Shqipëri, me në krye kryeministrin Rama, ka arritur deri atje me politikën e tij kundër Kosovës, sa që vetëm sa nuk po deklarohet kundër pavarësisë së Kosovës. Deri atje arriti kjo punë sa që edhe kryeministrja e Serbisë para një viti i kërkonte kryeministrit të Shqipërisë që të shoh pozicionin për pavarësinë e Kosovës, që indirekt do të thotë që të mos e njohe atë. Edhe fshirja nga harta të shtetit të Kosovës te "Udhëzuesit për Investime në Shqipëri", ashtu sikurse harta e Kosovës nuk është as te disa tekste shkollore por edhe postimi i paradokohshëm në portalin kryeministror të hartës së Ballkanit pa Kosovën si shtet, pas takimit Rama-Vucic-Zaev për mini shengenin, këto janë provokime shumë të rënda kundër Kosovës, Shtetit dhe pavarësisë së saj”, thotë Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kapitit, derisa politika dhe media kosovare e kanë kundërshtuar këtë sjellje të Edi Ramës, në Shqipëri mjerisht ka pak zëra publik që e kundërshtojnë zëshëm kursin anti Kosovë të politikës aktuale të Tiranës.

“Pikë së pari ju takon shqiptarëve të Shqipërisë që të reagojnë e ta kundërshtojnë këtë sjellje anti Kosovë të kësaj sjelljeje të kryeministrit të tyre, pasi politika dhe politikanët, pushtetarët dhe media në Kosovë e kanë bërë një gjë të tillë. Unë mendoj se Kosova dhe politikanët e Kosovës nuk reagojnë ashpër kundër kryeministrit të Shqipërisë pasi ata nuk duan të bien pre e këtyre provokimeve, pasi nuk duan që të konfliktohen me politikën dhe me pushtetin në Shqipëri, pasi ata i druhen një keqkuptimi dhe reagimi negativ publik të shqiptarëve të Shqipërisë të cilët nuk janë të mirë informuar për demin e madh kombëtar që kanë sjelljet e tilla të papërgjegjshme kundër Kosovës, por edhe të shqiptarëve të Kosovës të cilët nuk besojnë akoma që politika e Tiranës të arrij deri këtu kundër interesit dhe shtetit të Kosovës”, shton Kapiti për “Kosova Sot Online”.

“Këtu kanë faj dhe përgjegjësi të madhe edhe politika  dhe mediet kosovare, sidomos televizionet në Kosovë të cilat nuk interesohen aspak për të ekspozuar publikisht në mediet e tyre ata historianë, intelektual, patriotë, artistë, shkrimtar e analiste nga Shqipëria të cilët janë kundër ndarjes së Kosovës, kundër mini shengenit dhe kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. Një ndër ta jam edhe unë personalisht, por që deri më tani hapësirën e deklarimit e kam gjetur vetëm tek “Kosova Sot””, thotë Kapiti.

Më tej, Kapiti kërkon nga qeveria në ardhje, që të jenë shumë të aktiv dhe më të qartë në kundërshtimin e këtyre provokimeve që vijnë nga Edi Rama dhe qeveria e kontrolluar prej tij, për të mos lejuar që të bëhen avokatë të mbrapsht kundër interesave të shtetit të Kosovës.  

“Ndërsa Z. Kurti, nëse me të vërtetë kërkon reciprocitet me Serbinë, duhet të tregoj dhe të shprehë reagim të duhur edhe ndaj kryeministrit të Shqipërisë, se përderisa ky i fundit ndërhyn kaq thellë në dëm të Kosovës, duhet t'i kërkoj atij që të mbaje vendin që i takon se Kosova në marrëdhënie me Serbinë nuk ka nevojë për leksione "pajtimi", integrimi e sjelljeje ndaj Serbisë në pozita inferioriteti , dhe Shqipëria nuk duhet të bëhet palë dhe partner parësor me Beogradin, nuk duhet një integrim Shqipëri-Serbi para një integrimi Shqipëri-Kosovë, pasi integrimi gjithë përmasor Shqipëri-Kosovë është domosdoshmëri jetike gjithëshqiptare”, përfundon Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)