Irani po tenton shkatërrimin e provave? Në vendin e rrëzimit të aeroplanit me pasagjerë janë parë ekskavatorë

  • 10 January 2020 - 10:15
Irani po tenton shkatërrimin e provave? Në vendin e rrëzimit të aeroplanit me pasagjerë janë parë ekskavatorë

Irani ka përdorur buldozerë për të lëvizur nëpër copat e mbeturinave të një aeroplani të shkatërruar të pasagjerëve, duke shkatërruar potencialisht prova të cilat mund të ndihmojnë në përcaktimin e saktë të asaj që i ndodhi.

Kështu shkruan Business Insider, sipas të cilit medium, imazhet dhe raportet nga vendi i përplasjes, vetëm jashtë Teheranit, tregojnë se së paku një buldozer po punon tek mbeturinat në këtë vend. 

Bëhet fjalë për vendin ku një Boeing 737-800 u rrëzua të martën, duke vrarë të gjithë 176 njerëzit në bord.

Zona e rrëzimit thuhet se është në qendër të një beteje të tensionuar gjeopolitike mbi saktësisht atë që ndodhi me aeroplanin, i cili operonte në kuadër të Ukrainian International Airlines.

Irani pohon se avioni u rrëzua për shkak të një çështje teknike në bord.

Por qeveritë amerikane, britanike dhe kanadeze të gjithë thonë se aeroplani u qëllua nga një raketë iraniane tokë-ajër, duke cituar informacione nga shërbimet e tyre të inteligjencës.

Një video gjithashtu duket se tregon një gjë të tillë.

Provat fizike nga vendi i përplasjes mund të japin më shumë informacione rreth asaj që ndodhi. Por dobia e provave mund të rrezikohet nëse preket, shkruan Business Insider.

Giancarlo Fiorella, një studiues për uebfaqen hetimore Bellingcat, ndau fotografi për të cilat ai tha se treguan makineri të rënda në punë.

 “Unë i shoh këto foto shqetësuese sepse kjo mund të jetë skena e një krimi”, i ka thënë Fiorella, Channel 4 News.

Ndërsa Eliot Higgins, një tjetër hetues i Bellingcat, ka shkruar se prekja e mbeturinave do ta bënte “gati të pamundur” për të hetuar siç duhet përplasjen.

Ende nuk është e qartë nëse SHBA-së do t’i lejohet hyrja në vendin e përplasjes për të kryer hetimin e tyre, por CNN raportoi se Irani e ftoi SHBA-në në hetim derisa “prodhuesi Boeing të jetë i pranishëm”.

Hetuesit ukrainas kanë identifikuar katër arsye të mundshme të rrëzimit të aeroplanit në Iran, ngjarje nga e cila humbën jetën 176 persona.

Sipas mediave të huaja, ka qenë Oleksiy Danylov, sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, ai që zbuloi se një sulm me raketa, një përplasje, një shpërthim motori ose terrorizmi mund të kishin çuar drejt tragjedisë.

Një pretendim i tillë vjen pasi një raport fillestar nga hetuesit iranianë tha që aeroplani, një Boeing 737-800, ishte përfshirë nga një zjarr, pak para se të rrëzohej.

Rrëzimi ndodhi disa orë pasi Irani nisi sulmin me raketa ndaj bazave në të cilat janë të vendosur forca të drejtuara nga SHBA në Irak, duke bërë që disa të spekulojnë se aeroplani mund të jetë goditur.

(Kosova Sot Online)