Në Kosovë s’ka më shtetas të Shqipërisë që erdhën për strehim shkaku i tërmetit

  • 10 January 2020 - 15:43
Në Kosovë s’ka më shtetas të Shqipërisë që erdhën për strehim shkaku i tërmetit

Për dy javë rresht, Prizreni priti e përcolli rreth 500 shtetas të Shqipërisë. Ata u strehuan në ish kampin e KFOR’it gjerman dhe sallën e sporteve të Gjimnazit “Gjon Buzuku”, shkaku i tërmetit që goditi Shqipërinë, në fund të nëntorit. Nga tërmeti me magnitudë 6.4, mbetën të vdekur rreth 50 persona, në mesin e të cilëve edhe dy kosovarë. Tash kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga tërmeti, të gjithë të strehuarit janë kthyer në Shqipëri.

Tërmete të njëpasnjëshme goditën Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit të vitit të kaluar. Dridhja e parë më e fuqishme u regjistrua rreth orës 03:50 dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit.

Nga tërmeti me magnitudë 6.4, mbetën të vdekur rreth 50 persona, në mesin e të cilëve edhe vëllezërit Abazi nga Gjilani, të cilët kishin shkuar atje për të siguruar kafshatën e gojës.

Përveç viktimave, nga ky tërmet u lënduan qindra persona të tjerë, derisa u dëmtuan mbi 2 mijë objekte.

E për t’iu dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti, në Kosovë filluan menjëherë organizimet. Për pak orë, kosovarët grumbulluan ushqim, veshmbathje e batanije dhe u nisën drejt Shqipërisë në zonat e prekura.

Por, pavarësisht se morën rrugën për të iu ofruar ndihma të prekurve, ata nuk u liruan nga taksa në “Rrugën e Kombit”.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës që ka siguruar media një ditë pas tërmetit drejt Shqipërisë ishin nisur rreth 3 mijë automjete nga Kosova, shumica e të cilave kishin qenë të ngarkuara me ndihma humanitare.

Vetëm gjatë asaj dite, kosovarët kanë paguar mbi 35 mijë euro taksë në “Rrugën e Kombit”. Pavarësisht kësaj pagese, ndihmat e tyre vazhduan.

Ata hapën edhe dyert e shtëpive të tyre e strehuan familjet e prekura nga ky tërmet. Ndihmë ofroi edhe Qeveria e Kosovës.

Me vendim të kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt, u ndanë 500 mijë euro për Shqipërinë. Përveç mjeteve financiare, atyre iu ofrua edhe strehim.

Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me komunën e Prizrenit, Ambasadën Gjermane në Kosovë dhe GIZ në Kosovë, vendosën që të hapin Parkun Inovativ në Prizren (ish kampi ushtarak Gjerman) për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri. Aty u strehuan qindra persona.

Por, tash kur po bëhen rreth 2 muaj nga tërmeti, asnjë familje shqiptare nuk gjendet në këtë kamp.

Në Komunën e Prizrenit deklarojnë se të prekurit nga tërmeti janë përcjellë në mënyrë të organizuar për në Shqipëri, dy javë pas tërmetit.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Lis Dorambari i ka thënë medias se në Parkun e Inavacionit dhe Trajnimeve aktualisht nuk ka asnjë familje të strehuar.

“Në ish kampin e KFOR-it gjerman, tani i njohur si Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve, aktualisht nuk ka asnjë familje të strehuar që janë prekur nga tërmeti në Shqipëri. Të gjithë ata që kanë qëndruar në kamp dhe në gjimnaz, janë kthyer në Shqipëri me përcjellje dhe në mënyrë të organizuar”, ka thënë Dorambari.

Dorambari ka treguar se për dy javë rresht, aty janë strehuar rreth 500 persona.

“Parku i ka hapur dyert për të strehuarit më 27 nëntor dhe për dy javë rresht ka strehuar rreth 500 persona (numri i saktë ka ndryshuar në vazhdimësi, si shkak i atyre që kanë qëndruar më pak dhe atyre që janë zëvendësuar me të tjerë)”, ka thënë ai.

E përveç në Parkun Inovativ, të prekurit nga tërmeti janë strehuar edhe në sallën e edukatës fizike të gjimnazit “Gjon Buzuku.

“Shkaku i kapacitetit të mbushur në kamp, ka pasur të strehuar edhe në sallën e edukatës fizike të gjimnazit Gjon Buzuku, ku kanë qëndruar përkohësisht rreth 120 persona”, thuhet në përgjigjet e Dorambarit drejtuar medias.

Ndryshe, Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kishte njoftuar se Qeveria e Kosovës ka vënë në dispozicion transport për rikthimin e të zhvendosurve nga Shqipëria për shkak të tërmetit.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj kishte kërkuar edhe ndihmën e komunave për kthimin e tyre.

“Kërkojmë që në këtë etapë të rikthimit vullnetarë të përfshihen edhe të gjitha Komunat, ku ka të strehuar, duke vënë në dispozicion mekanizmat e tyre, numër kontakti, Drejtorit e emergjencave dhe transportin”, kishte shkruar ai.

Ai kishte bërë me dije se të gjitha ndihmat e grumbulluara nga qytetarët në Kazermën e FSK-së në Prizren, do të dërgohen nga Ushtria, në mënyrë institucionale, në depot e rezervave shtetërore të Shqipërisë.

Kishte thënë Zyra e Kryeministrit, do të jetë në gjendje gatishmërie për çdo kërkesë eventuale të ndihmës, qoftë për Komunat tona, qoftë për autoritetet shqiptare.

“Kosova do të vazhdojë të jetë në gjendje gatishmërie, për çdo ndihmë të kërkuar, për popullin e Shqipërisë”, kishte shkruar Haradinaj.

(Kosova Sot Online)