Pack: Nëse Rama e pranon minishengenin pa Kosovën do të bënte tradhti

  • 10 January 2020 - 15:45
Pack: Nëse Rama e pranon minishengenin pa Kosovën do të bënte tradhti

Iniciativa e Edi Ramës, Aleksandër Vuçiqit dhe Zoran Zaevit për të formuar një “Mini-Shengen” ballkanik ka marrë kritika të ashpra nga zyrtarë politik vendor e ndërkombëtarë. Takimet e treshes në Novi Sad, Shkup e Tiranë për të formuar një lloj zone shengen të modelit evropian është parë me skepticizëm në Kosovë. Zyrtarët e lartë kosovarë e kanë bojkotuar këtë iniciativë duke e quajtur si të pa implementueshme përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën. Ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack në një intervistë dhënë medias ka thënë se Mini-Shengeni ballkanik nuk mund të ndodhë pa Kosovën. Doris Pack po ashtu ka thënë se nëse Edi Rama do të pajtohej që nisma rajonale e Mini-Shengenit të shtyhet përpara pa pjesëmarrjen e Prishtinës zyrtare, ai do të bënte tradhti ndaj Kosovës.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, mohimi i krimeve të kryera gjatë luftës së fundit nga zyrtarët shtetërorë serbë dhe përpjekjet e Serbisë që të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare janë shkaku kryesor për refuzimin e pjesëmarrjes në këtë iniciativë rajonale nga Kosovës.

Mini-Shengenin ballkanik po e sheh si iniciativë boshe edhe diplomatja gjermane Doris Pack. 

E pyetur nëse kjo iniciativë do të jetë e suksesshme pa Kosovën, Kryetarja e grupi të grave të Partive Popullore Evropiane(EPP) është shprehur se Mini-Shengeni nuk mund të ndodhë pa Kosovën dhe kjo është fakt.

“Nismat rajonale janë të suksesshme në mënyrë të plotë, kur përfshihen të gjitha shtetet. Fjala Mini-Schengen është fjalë e bukur, por boshe. Ajo u shërben disa liderëve që të duken sikur po ndryshojnë diçka për të mirë. Fakti është: Pa Kosovën, kjo nuk mund të ndodhë”, ka thënë Doris Pack për media

Politikania gjermane tutje ka deklaruar se nëse Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të pajtohej që Mini-Shengeni ballkanik të jetësohej pa Kosovën atëherë ai do të bënte tradhti ndaj shtetit më të ri në Evropë.

“Nëse kryeministri Rama vërtet do të pajtohej që Mini-Shengeni të bëhet pa pjesëmarrjen e Prishtinës zyrtare atëherë ai do të bënte tradhti ndaj Kosovës”, ka deklaruar Pack.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq para disa javësh kishte deklaruar se Maskra e Reçakut që ishte kryer nga forcat serbe në janar të vitit 1999 ishte trillim dhe e fabrikuar nga ish-ambasadori i OSBE-së William Walker. Kjo deklaratë kishte ngjallë reagime të ashpra në Kosovë.

Takimi i tretë formal për Mini-Shengenin ballkanik i mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë ishte pritur me protesta nga qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri pas deklaratave të Aleksandër Vuçiqit ndaj Masakrës së Reçakut.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pas takimit kishte akuzuar Kosovën duke thënë se po vetizolohet duke mos marrë pjesë në projektin e Mini-Shengenit.

Kundër kësaj iniciative kanë dalur edhe përfaqësuesit politik shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë së Veriut.

Edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar gjithëpërfshirje në mënyrë që një projekt i tillë të mund të jetë i realizueshëm.

Përfaqësuesi presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se pa Kosovën nuk mund të ketë Mini-Shengen. Matthew Palmer, në anën tjetër, në mënyrë deklarative e ka përkrahur një ide të tillë, duke thënë se aty ka vend edhe për Kosovën.

(Kosova Sot Online)