Sa ushtarë të rinj angazhoi FSK pasi u bë ushtri

  • 10 January 2020 - 17:57
Sa ushtarë të rinj angazhoi FSK pasi u bë ushtri

Komandanti i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama ka folur për ndryshimin e ligjeve të FSK-së, duke treguar edhe sa ushtarë momentalisht janë të angazhuar.

“Ne kemi tejkaluar ato pritjet që i kemi pas, pak ditë janë që kemi filluar në kuptimin zyrtar që ligjet kanë hyrë në fuqi, por, ne falë bashkëpunimit që kemi pas me partnerët tanë, kemi qenë të vetëdijshëm që një ditë do të ndodhë ky proces dhe ky viti i parë ka qenë më shumë në kuptimin administrativ. Prioritet ka qenë tranzicioni në ministrinë e mbrojtjes”, ka deklaruar ai, teksa ka folur edhe për ndërrimin e emblemave të çdo njësie.

“I kemi ndërru edhe shenjat dhe emblemat e çdo njësie, jemi në ndërtim e sipër të njësive të caktuara, jemi në proces, prioriteti i tretë është komanda e stërvitjes, jemi në këtë proces, gjithmonë duke mos i anashkalu njësitë tjera, për herë të parë e kemi edhe gardën kombëtare. 

Ne i kemi katër brigade: Forcat tokësore, logjistika, komanda e doktrikës dhe stërvitjes, edhe gardën nacionale”, ka shtuar tutje.

Rama ka folur edhe për numrin e ushtarëve që ka FSK-ja.

“Ne mbi bazën e planit afatgjatë ne në këtë vit e kemi pas një kampanjë të rekrutimit kemi arrit që t’i zgjedhim 700 ushtarë të ri që janë pjesë aktive, një pjesë të komponentës rezervë 200 prej tyre i kemi kthyer, 900 ushtarë dhe ushtare i kemi vetëm në vitin e fundit, duhet ti kemi 5 mijë aktivë dhe 3 mijë rezervë”, shton tutje.

Ai ka bërë të ditur se edhe pse janë të përjashtuar nga ligji për paga, do të kenë rritje të pagave deri në 20 për qind kurdo që miratohet buxheti.

“Ne jemi të përjashtuar prej ligjit për paga, do të kemi një rritje simbolike të pagave, që duhet të rregullohet me zyrën ligjore të kryeministrit, tash jemi peng edhe i buxhetit të paaprovuar, në momentin që do të aprovohet do t’i kemi pagat me ligj të ri, do të ketë rritje 15 deri në 20 për qind”, ka deklaruar i njëjti.

(Kosova Sot Online)