Ndizet alarmi pas rastit “Pronto”, kërkohet urgjentisht Vetting-u nga ndërkombëtarët

  • 11 January 2020 - 07:36
Ndizet alarmi pas rastit “Pronto”, kërkohet urgjentisht Vetting-u nga ndërkombëtarët

“Rasti shpalljes së pafajësisë nga ana e gjykatës për klanin kriminal e mafioz “PRONTO” ngrehë një alarm serioz dhe fletë qartë për nevojën që ka vendi për çlirimin e sistemit të drejtësisë nga ndikimi politik dhe kriminal nga pushtetarët aktual dhe partitë politike që vijnë nga i ashtuquajturi “krahu i luftës”, dhe kjo do të jetë një nga sfidat më të rënda për qeverinë e re, suksesi i së cilës do të varët shumë nga kjo sfidë”, thotë Haziri për “Kosova Sot Online”.

Duke e parë se si u manipulua nga drejtësia e Kosovës gjykimi i aferës “Pronto”, gjykim ky që i nxori të pa fajshëm të gjithë të dyshuarit, ka reaguar analisti politik, Nexhat Haziri, i cili e ka krahasuar drejtësinë kosovare me “demokracinë” e sistemit të dorës së fortë të politikës ruse.

Prandaj, sipas tij është koha e fundit që drejtësia kosovare të fillojë të pastrohet me ligjin Vetting.

Image
Nexhat Haziri

“Të kërkosh drejtësi në Kosovë, është sit ë kërkosh demokraci në Bjellorusinë e Aleksandër Llukashenkos. Mbase kjo vërtetohet edhe me epilogun e gjykimit të rastit për klanin mafioz “Pronto” dhe verdikti që dha gjykata, duke i shpallur të pafajshëm. Kjo rast dëshmoi po ashtu se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur nga mafia politike e cila nuk dallon shumë nga organizata mafioze bullgare si "organizatë pushteti", që veproi në kohën e tranzicionit në Bullgari, e cila kishte nën ndikimin e saj sistemin e drejtësisë në vend, por edhe pothuajse tërë qeveritë”, thotë analisti politik, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Më tej, sipas Hazirit për të pasur një drejtësi të pavarur dhe në funksion të fuqizimit të shtetit, urgjentisht duhet të pastrohet i tërë sistemi nëpërmes ligjit Vetting, të mbikëqyrur nga ndërkombëtarët.

“Rasti shpalljes së pafajësisë nga ana e gjykatës për klanin kriminal e mafioz “PRONTO” ngrehë një alarm serioz dhe fletë qartë për nevojën që ka vendi për çlirimin e sistemit të drejtësisë nga ndikimi politik dhe kriminal nga pushtetarët aktual dhe partitë politike që vijnë nga i ashtuquajturi “krahu i luftës”, dhe kjo do të jetë një nga sfidat më të rënda për qeverinë e re, suksesi i së cilës do të varët shumë nga kjo sfidë. Është po ashtu nevojë imediate që të aplikohet sistemi i Vetingut në të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, duke filluar nga policia, AKI-ja, Prokuroria dhe Gjykatat, të cilat janë nën ndikimin e SHIK-ut, organizatë kjo kriminale e cila edhe më tutje rrezikon stabilitetin politik dhe të sigurisë në vend”, shton Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, rasti i lirimit nga fajësia për prestarët e klanit “PRONTO”, është një goditje e rëndë për drejtësinë dhe të ardhmen e vendit.

“Si një shtet ku sundon rendi dhe ligji dhe po ashtu për perspektivën tonë si shoqëri me ambicie normale për integrime euro-atlantike, nëse shteti vazhdon të jetë i kapur nga mafia, prandaj mbetet një shpresë e vetme nëse qeveria e re do të bëjë diçka për ta ndërprerë këtë trend negativ. Nëse qeveria e ardhshme, nuk i jep fund kapjes së shtetit nga mafia e ish-komandantëve, kjo mafi do t’u jap fund ëndrrave tona për një shoqëri të lirë, demokratike, e dinjitetshme , ku së cili është i barabartë para ligjit”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)