“Loja me harta”, akuza e rëndë ndaj Ramës: Ja si punon për copëtimin e Kosovës

  • 11 January 2020 - 07:44
“Loja me harta”, akuza e rëndë ndaj Ramës: Ja si punon për copëtimin e Kosovës

“Këto veprime të qeverisë Rama dy herë, të përsëritura me hartën e rajonit pa Kosovën, të bëjnë të besosh akuzat që i bëhen z. Rama, se ai ka pranuar dhe është duke investuar për ndarje e copëtim të Kosovës, dhe tani nuk reagon ta kundërshtoje veprimin e zyrtarëve të tij që hapin hartë rajoni pa Kosovën”, thotë Shahu për “Kosova Sot Online”.

Derisa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk po ndalon me vazhdimin e provokimeve të ulëta ndaj shtetit të Kosovës, duke nxjerrë në lojë hartat me të cilat e paraqet Kosovën pjesë të territorit të Serbisë, analistët politikë vazhdojnë ta akuzojnë atë se po i bënë një shërbim tepër të keq kombit dhe shqiptarëve të Kosovës. Kundër këtyre provokimeve ka reaguar edhe analisti politik, Rexhep Shahu, i cili është irrituar akoma më shumë nga loja e Ramës i cili pas skandalit të parë me paraqitjen e hartës gjoja mbi investimet për furnizimin e zonave rurale 24 orë me ujë, ku Kosova është prezantuar si pjesë e Serbisë, skandali është përsëritur edhe për herën e dytë, ku Kosova prapë është pjesë e Serbisë sipas “Udhëzuesit për Investime në Shqipëri”.

E sipas Shahut, krejt ky skenar loje i Ramës po shkon në interes të Serbisë, dhe në dëm të shqiptarëve të Kosovës dhe shtetit të tyre të ri.

Image
Rexhep Shahu

“Shërbimi i keq dhe shumë i keq që po i bënë Edi Rama Kosovës duke e zhbërë ekzistencën e saj me veprimet e tij dhe të administratës së tij është shërbimi më i mirë që i bëhet Serbisë. Nuk e dimë a janë lajthitje të administratës së Ramës apo çfarë janë këto harta që shpërndanë Tirana zyrtare e Edi Ramës, por ato harta nuk e kanë Kosovën. Dikush duhej ta pyeste Edi Ramën kudo që gjendet, në Vjenë apo në Moske si kreu i OSCE dhe ti thoshte, Ku është Kosova në hartat e qeverisë tënde? Historia e përsëritur me harta pa Kosovën nga administrata e Ramës, duke e vendosur atë si pjesë të Serbisë, i lejon cilitdo të pyesë, z. Rama, a e pranon që Kosova është çliruar dhe është shpallur e pavarur nga Serbia. Nëse nuk e pranon qeveria Rama, Shqipëria e ka pranuar dhe e ka njohur Kosovën shtet të pavarur”, thotë analisti politik dhe publicisti, Rexhep Shahu për “Kosova Sot Online”.

Përsëritja për të dytën herë e të njëjtit skandal, sipas Shahut lë të kuptohet plotësisht se Edi Rama po i frynë shumë opsionit të ndarjes së Kosovës, prandaj me këto veprime që po i bënë ai, po provokon seriozisht që një ditë të afërt, politika dhe institucionet e Kosovës ta shpallin atë si person të pa pranueshëm.

“Këto veprime të qeverisë Rama dy herë, të përsëritura me hartën e rajonit pa Kosovën, të bëjnë të besosh akuzat që i bëhen z. Rama, se ai ka pranuar dhe është duke investuar për ndarje e copëtim të Kosovës, dhe tani nuk reagon ta kundërshtoje veprimin e zyrtarëve të tij që hapin hartë rajoni pa Kosovën. Për cilindo shqiptar është e rëndë, por për një kryeministër e zyrtar shqiptar është më shumë se e rëndë. Kosova nuk ka çfarë i reagon ndryshe por besoj se po i vjen çasti që ai të shpallet i pa pranueshëm në Kosovë dhe ti ndalohet ta përmendë Kosovën”, deklaron publicisti, Rexhep Shahu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)