“Vjedhja me letra”, kështu po zhvatet buxheti i Kosovës

  • 12 January 2020 - 07:36
“Vjedhja me letra”, kështu po zhvatet buxheti i Kosovës

“Vjedhja e parasë publike është bërë edhe nga qiratë e objekteve të shumë institucioneve shtetërore. Duke paguar nga disa milionë euro çdo vit për këto objekte, deri më tash ishin ndërtuar me dhjetëra objekte dhe s'ka pasur nevojë fare të paguhen qiratë. Por qëllimi i tyre ka qenë vjedhja e parasë publike”, thotë analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Qeveria e Kosovës në largim, sipas planifikimit që ka bërë për vitin 2020, edhe gjatë këtij viti do të duhet të shpenzoje miliona euro për qira në objekte të ndryshme private, ku janë të vendosura ose do të vendosen muajt në vijim disa ministri të qeverisë së Kosovës dhe institucione të tjera qeveritare.

Përkundër faktit që para 12 vitesh është hartuar dhe miratuar plani strategjik i zbatimit 2008 – 2015, si plan që parashihte kalimin e të gjitha institucioneve nga objektet private në ato publike, kanë kaluar plot 5 vite nga afati i fundit, që ishte viti 2015, por akoma nuk është arritur që të realizohet ashtu sikur qe planifikuar

Analistët politikë këtë dështim të madh të të gjitha qeverive të kaluara, e shohin se një projekt i qëllimshëm korruptiv i politikës në pushtet, që përmes vazhdimit të sistemimit të institucioneve shtetërore me qira në objekte private, të përfitojnë individët e caktuar për xhepin e tyre, si rrjete të krimit të organizuar që veprojnë edhe brenda partive politike në pushtet.

Sipas planit të qeverisë në ikje, janë rreth 20 institucione shtetërore që do të vazhdojnë të funksionojnë edhe në vitin 2020 nëpër objekte private duke paguar qira të majme nga buxheti, sepse për këtë çështje nuk pritet zgjidhje as gjatë këtij viti.

Madje gjendja vetëm sap o vjen e përkeqësohet sepse edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shumë shpejt do të vendoset në një objekt privat. Ndërtesa në të cilën deri tash ishte e vendosur kjo ministri do të kalojë në shfrytëzim të Presidencës së Kosovës, kurse “shtëpia e re e kësaj ministrie pritet të jetë një objekt afarist në Prishtinë te ndërtesa e ish-Ramiz Sadikut, derisa kostoja mujore e qirasë pritet të jetë hiq më pak se 41 mijë euro.

Nëpër objekte të tilla funksionojnë tash e sa vite janë Ministria edhe Financave, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësi, Ministria e Integrimit dhe ajo e Zhvillimit Rajonal. Përveç ministrive, tash e sa kohë në objekte private zhvillojnë punën edhe 10 institucione tjera, ku vendosja e këtyre institucioneve në të tilla objekte i kushton buxhetit të shtetit miliona euro çdo vit.

Image
Faik Krasniqi

E lidhur me këtë, analisti politik, Faik Krasniqi vlerëson se kjo mënyrë e lënies së institucioneve të shtetit në mëshirën e objekteve private, është një nga format më të sofistikuara të zhvatjes legale të buxhetit të shtetit nga zyrtarët që e kanë zanat vjedhjen e kësaj forme.

“Prandaj i mbetet qeverisë në ardhje që me urgjencë të vepron dhe ta ndërpresë këtë praktikë të korrupsionit legal me letra, që të parandalohet kjo formë e abuzimit me buxhetin e shtetit. Mos ndërtimi me kohë i objekteve publike për nevojat e qeverisë e ka qëllimin te vjedhja e buxhetit sepse po të ishin kursyer mjetet dhe investuar në objekte qeveritare, kaherë nuk do të kishte nevojë për të shfrytëzuar objekte private me qira të majme. Vjedhja e parasë publike është bërë edhe nga qiratë e objekteve të shumë institucioneve shtetërore. Duke paguar nga disa milionë euro çdo vit për këto objekte, deri më tash ishin ndërtuar me dhjetëra objekte dhe s'ka pasur nevojë fare të paguhen qiratë. Por qëllimi i tyre ka qenë vjedhja e parasë publike”, thotë analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqi, një nga veprimet e para pozitive në këtë drejtim, do të jetë shkurtimi i dikastereve ministrore që është planifikuar sipas projektit të qeverisë Kurti, në marrëveshje edhe me LDK-në.

“Qeveria e ardhshme e Kosovës do te shkurtohet ne 12 ministri. Një ministri ka pasur disa objekte. Nga Qeveria në ardhje është paralajmëruar edhe mbyllja e shumë agjensioneve shtetërore, që janë konsideruar të pa nevojshme. Me shkurtimin e qeverisë dhe mbylljen e shumë agjensioneve të pa nevojshme shtetërore, do të kemi më shumë objekte të lira. Edhe buxheti i shtetit do të kurseje disa miliona në vit, por edhe objekte tjera do të mundë të shfrytëzohen për qëllime tjera që janë në dobi të shtetit. Besoj që Qeveria Kurti do ta ndal vjedhjen e parasë publike, që për dy dekada është vjedhur në forma të ndryshme”, deklaron Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)