Pranimi i fajësisë për aeroplanin e rrëzuar nxit protesta në Iran

  • 12 January 2020 - 09:00
Pranimi i fajësisë për aeroplanin e rrëzuar nxit protesta në Iran

Regjimi iranian u drodh nga një valë e re e kritikave ndërkombëtare dhe vendore të shtunën në mbrëmje pas pranimit të fajësisë për rrëzimin e aeroplanit ukrainas, me ç’rast mbetën të vrarë 176 persona.

Duke u përballur me krizën më të madhe që nga revolucioni islamik i vitit 1979, liderët politikë, ushtarakë dhe fetarë u përpoqën ta mbanin nën kontroll gjendjen pasi presidenti iranian, Hassan Rouhani, tha se rrëzimi i aeroplanit civil ishte një gabim i tmerrshëm.

Ambasadori britanik në Iran, Robert Macaire, u arrestua gjatë protestave përballë universitetit “Amir Kabir” në Tehran me arsyetimin se i ka nxitur protestat. Një agjenci lajmesh raportoi se ai u lirua disa orë më vonë. 

Dominic Raab, ministër i jashtëm britanik, tha: “Arrestimi i ambasadorit tonë në Tehran pa ndonjë bazë apo sqarim është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar.”

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili më parë ka deklaruar se nuk kërkon ndryshim të pushtetit në Iran, shprehu përkrahje për protestuesit, duke shkruar: “Jemi duke i ndjekur për së afërmi protestat tuaja dhe jemi të frymëzuar nga guximi juaj.”

Irani për tri ditë me radhë e mohoi përgjegjësinë për rrëzimin e aeroplanit, por qëndrimi zyrtar ndryshoi të shtunën në mëngjes, kur ushtria njoftoi përmes një deklarate se e ka rrëzuar gabimisht aeroplanin që ishte nisur drejt Ukrainës, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)