“Kurti është zënë në befasi nga Thaçi”, ky është skenari për krijimin e Qeverisë pa VV-në

  • 12 January 2020 - 16:54
“Kurti është zënë në befasi nga Thaçi”, ky është skenari për krijimin e Qeverisë pa VV-në

" Në këtë mënyrë Thaçi jo vetëm se e ktheu gjendjen plotësisht në favor të vetin personal, por duket se ka arritur marrëveshje konspirative me Isa Mustafën, që si kusht për katapultimin e LDK-s,në vend të parë,me miratimin e kësaj partie, Hashim Thaçi të rizgjidhet sërish edhe për një mandat president i vendit, dhe të vazhdoj sundimin dhe kapjen e shtetit prej tij, e thellojë edhe më tepër korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar me mafio oligarkët dhe nëntokën kriminale që nga paslufta,kanë kontrolluar dhe dirigjuar gjithçka në shtetin e brishtë të Kosovës”, thotë Qarri për “Kosova Sot Online”.

 

Image
Gani Qarri

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, duke vlerësuar presionin e madh që po i bëhet kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti me shkresat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në kërkim urgjent të nominimit të kandidatit për kryeministër të Kosovës, e sheh këtë skenar të Thaçit si të mirë përgatitur për prapaskenat e paramenduara dhe dizajnuara më herët, në mënyrë që të përjashtohet Vetëvendosje nga krijimi i qeverisë, për ta kaluar mandatin tek subjektet tjera politike. 

Qarri mendon se Albin Kurti është zënë në befasi serioze nga kjo lojë e Hashim Thaçit.

“Ditët e kaluara duket se i kanë gjetur në gjumë dhe lënë të hutuar vetëm liderët e paprovuar të VV-së, por jo edhe stilet e vjetra, Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën, të cilët po dëshmohet se ishin shumë aktiv në prapaskenë dhe pas takimit maratonik të Thaçit me ta, u paralajmërua edhe anëtarësimi i tre deputetëve minoritar në LDK. Ky fakt ndryshon katërçipërisht gjendjen e fituesit të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 duke e hedhë automatikisht partinë e Albin Kurtit në vend të dytë, dhe katapultuar partinë e Isa Mustafës në rang të parë, me epërsi prej dy deputetësh. Ndaj presidenti Hashim Thaçi, i trimëruar nga zhvillimet më të reja, ju ka drejtuar përsëri më një letër kreut të LVV-së Albin Kurtit duke kërkuar nga ai në mënyrë ultimative emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re, ose konfirmimin e heqjes dorë nga kjo e drejtë e fituar me zgjedhje nga LVV-ja”, thotë analisti politik, Gani Qarri për Kosova Sot Online”. 

Sipas Qarrit, ultimatumi i radhës i Thaçit drejtuar Kurtit dhe përmes tij partive politike VV dhe LDK, flet hapur se tanimë është plotësisht i mundshëm të realizohet plani përjashtues për formimin e koalicionit VV- LDK, dhe në rast të mospajtimeve VV-LDK, Thaçi ta shfrytëzojë fuqinë e tij për të vendosur në diskrecion edhe mandatin, në vend të VV-së  t`ia ja jep partisë së dytë fituese LDK-së, me partitë e PAN-it,për formimin e qeverisë së re. 

“Sido që të vij puna, një gjë u pa dhe vërtetua katërçipërisht, se dita e premte ishte ditë “pushimi” vetëm për liderët e VV-së, por jo edhe për LDK-në e cila shihet se është angazhuar maksimalisht, dhe përderisa ende nuk dihet se kur do të ndodhë dhe a do të vije fare te takimi i radhës dhe përpjekja tjetër për arritjen e një kompromisi me VV-në, në media u raportua publikisht se pas takimit maratonik të Hashim Thaçit me deputetët minoritar, ka bindur 3 prej tyre, që ti bashkohen LDK-së, duke e bere kështu LDK-në, grupin më të madh parlamentar ne Kuvend. Ndaj zhvillimet më të reja, janë edhe një dëshmi më tepër se vendi po shkon pashmangshëm drejt një skenari,të cilin nuk e kanë pritur as votuar qytetarët e Kosovës, me ç`rast mund të vije deri te një qeveri në formë të ashtuquajtur të sallatës ruse, ku do të përfshiheshin; LDK-AAK-Nisma-minoritete, apo edhe një PAN 2, që do të ishte katastrofale për vendin”, shton Qarri për “Kosova Sot Online”.

Me kalimin e deputetëve minoritarë në LDK, sipas Qarrit, Vetëvendosje e ka humbur primatin e partisë së parë të dalë nga zgjedhjet, prandaj edhe mundë ta humbë edhe të drejtën për ta nominuar kandidatin për kryeministër.

“Hashim Thaçi, në koordinim të ngushtë me ish vartësin e tij, Isa Mustafën dhe udhëheqjen e vjetër të LDK-s, pas një takimi maratonik tri ditë më parë,me deputetët që përfaqësojnë pakicat në Kuvendin e Kosovës, i bindi tre deputet minoritar që të kalojnë në LDK, duke e kthyer LDK-në, në grupin më të madh parlamentar, me çka Thaçi arriti përfundimisht që me një të rënë të shkaktojë dy goditje të mëdha dhe përkundër fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhje,ta bëjë partinë e Isa Mustafës të parën ndërsa hedhë LVV-në, në vend të dytë. Në këtë mënyrë Thaçi jo vetëm se e ktheu gjendjen plotësisht në favor të vetin personal, por duket se ka arritur marrëveshje konspirative me Isa Mustafën, që si kusht për katapultimin e LDK-së,në vend të parë,me miratimin e kësaj partie, Hashim Thaçi të rizgjidhet sërish edhe për një mandat president i vendit, dhe të vazhdoj sundimin dhe kapjen e shtetit prej tij, e thellojë edhe më tepër korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar me mafio-oligarkët dhe nëntokën kriminale që nga paslufta, kanë kontrolluar dhe dirigjuar gjithçka në shtetin e brishtë të Kosovës”, përfundon Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)