Vendet më të pëlqyera nga të huajt në Prishtinë

  • 13 January 2020 - 11:49
Vendet më të pëlqyera nga të huajt në Prishtinë

Përveç vizitave në vendet malore në Kosovë, shumë të huaj pëlqejnë të vizitojnë edhe kryeqytetin.

Në Prishtinë ka një listë të gjatë të vendeve të cilat preferohen të vizitohen, por janë disa më të pëlqyera nga turistët e huaj. 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, si një ndër objektet me arkitekturë interesante e unike, zgjon interesim të madh të turistëve.

Edhe objektin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë turistët e huaj e shohin si atraksion në vete.

Përveç këtyre objekteve që zgjojnë kureshtjen e secilit ka edhe vende të cilat zgjedhën për bukurinë e tyre.

Vendi ku mund të shëtisësh, të bësh një piknik e të argëtohesh është Parku i Gërmisë.

Shumë të huaj e kanë cilësuar atë si një vend ideal për tu relaksuar.

Por, ka edhe hapësira e objekte të tjera për të cilat ka kërkesa të mëdha për t’u vizituar.

Objekti i katedrales “Nëna Terezë”, preferohet të vizitohet pasi që turistëve iu duket tërheqëse pamja e qytetit nga lartë.

Ndërkaq, edhe pse për shumë turistë nuk duket të jetë mjaft interesante të vizitohet statuja e ish-presidentit amerikan “Bill Clinton”, ata vlerësojnë se ja vlen të paktën të bëhet një fotografi aty.

Po ashtu, Muzeu i Kosovës është një objekt që paraqet interesim të madh për tu vizituar, por që viteve të fundit turistët po kthehen të zhgënjyer, pasi që renovimet e këtij objekti po ua pamundësojnë vizitën në të.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot, monumenti “Neë Born” është bërë pikë kyçe për tu vizituar në kryeqytet.

Këtë monument e bën interesant për turistët ndërrimi i ngjyrave të tij, e cila procedurë bëhet çdo 17 Shkurt, e kjo për nder të pavarësisë së Kosovës.

Kur vizitorët e huaj vijnë në Prishtinë, duket se kanë më se të qartë se çfarë duan të vizitojnë dhe kjo meqë thonë se kanë dëgjuar për hapësirat dhe objektet e lartpërmendura.

Ndërkohë Lea, një turiste nga Gjermania përmes një video për emisionin tregon disa nga vendet e saj të preferuara në kryeqytet.

“Tung, #gjesi, vendet më të preferuara për mua në Prishtinë janë: Parku i Gërmisë, pamja e qytetit nga lartë te lagja Velania në Prishtinë, Biblioteka Kombëtare dhe katedralja “Nëna Terezë”.

Ndryshe, për vendet që duhet vizituar në kryeqytet kanë shkruar edhe mediat e huaja si gazeta “The Neë York Times” dhe “BBC”.

(Kosova Sot Online)