Isa Mustafa flet pas takimit me Kosnett dhe Walker: Zgjidhjen e jep VV-ja

  • 13 January 2020 - 11:57
Isa Mustafa flet pas takimit me Kosnett dhe Walker: Zgjidhjen e jep VV-ja

(E plotësuar) - Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate lëshuar për media kanë dhënë detaje për vizitën që sot e bëri në selinë qendrore të kësaj partie, ambasadori amerikan në Prishtinë, Phlip Kosnett.

Në njoftimin e LDK-së, shkruhet se në takim kishin qenë të pranishëm, kreu i LDK-së, Isa Mustafa së bashku me tre nënkryetarët e partisë.

Temë kryesore dhe arsye e vizitës bëhet e ditur se ka qenë koalicioni LV – LDK.

“Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Kosnett për rrjedhën e bisedimeve të deritanishme me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, thuhet në njoftim.

Sipas LDK-së, Kosnett ka ftuar udhëheqësit politik që të formojnë sa më shpejtë qeverinë e re.

“Ambasadori Kosnett ftoi udhëheqësit politik ta formojnë qeverinë e re e cila sa më parë do të përmbushë mandatin e votuesve”, bëhet e ditur.

Isa Mustafa flet pas takimit me Kosnett dhe Walker: Zgjidhjen e jep VV-ja

Pas takimit të sotëm me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, ka folur kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Ai ka thënë se zgjidhjen për marrëveshjen duhet ta japë Lëvizja Vetëvendosje e jo LDK-ja.

Mustafa nuk foli gjatë para mediave pas takimit me Kosnett-in, ai u shpreh se zgjidhja i takon VV-së.

“Zgjidhjen e japin ata, jo ne”, tha Mustafa.

Image

Ndërkaq, pas këtij takimi ka folur edhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu. Njësoj si Mustafa, edhe Veliu ka thënë se përgjegjësia është e Vetëvendosjes.

Veliu ka thënë se nuk mund të flasë për ofertën e Kurtit, pasi, sipas tij, nuk është shqyrtuar ende në organet e LDK-së.

“Ne po presim një zgjidhje nga Vetëvendosja, një zgjidhje e cila është funksionale për të dyja palët. Përgjegjësia sigurisht është e tyre, që të ofrojnë një zgjidhje në këtë situatë të krijuar. Po e theksoj se jemi në pritje. Ofertat e Kurtit ne nuk i kemi shqyrtu në organet tona, sepse oferta të veçanta ne nuk shqyrtojmë, kemi bisedu në organet e LDK-së për parimet të cilat duhet t’i ketë një qeverisje”, është shprehur Veliu.

Image

Detajet: Përfundon takimi i Kosnett me krerët e LDK-së

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett ka përfunduar takimin me krerët e LDK-së.

Ai pas takimit rreth 45 minutësh nuk foli për media, por thuhet të ketë diskutuar mbi përpjekjet e formim të koalicionit bashkëqeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kosnett edhe më herët ka zhvilluar takime me dy partitë, derisa nuk dihet a do të takojë liderin e VV-së, Albin Kurti.

Bisedimet me Vetëvendosjen, Kosnett i shkon Isa Mustafës në zyrë

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett sapo ka arritur në selinë qendrore të LDK-së, aty ku pritet që të takohet me fytyrat kyçe të partisë.

Temë kryesore e diskutimit është ajo e bisedimeve për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, tash kur kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Në selinë e LDK-së pak minuta më parë është parë duke hyrë edhe ish-shefi i misionit të OSBE-së, William Walker.

Ndërkombëtarët në vazhdimësi kanë bërë thirrje për krijim sa më të shpejtë të qeverisë së re.

LV dhe LDK në anën tjetër ende nuk janë marrë vesh për bashkëqeverisje, teksa, së fundmi është bërë e ditur se janë vënë në tavolinë të diskutimit edhe oferta të reja nga të dy partitë.

(Kosova Sot Online)