Ministria e Mjedisit: S’kemi dhënë pëlqim për ndërtim te Liqeni i Badovcit, është zonë e mbrojtur

  • 13 January 2020 - 14:32
Ministria e Mjedisit: S’kemi dhënë pëlqim për ndërtim te Liqeni i Badovcit, është zonë e mbrojtur

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura për ndërtimet te Liqeni i Badovcit. MMPH’ja thotë se nuk ka kompetenca të lëshojë leje ndërtimore, po ashtu thekson se nuk është dhënë pëlqimi për ndërtim në atë zonë e cila është e mbrojtur

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka njoftuar se as kompanitë ndërtimore e as pronari i tokës nuk kanë aolikuar për Pëlqim Mjedisor.

“MMPH nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshoj leje ndërtimore. Gjithashtu në bazë të gjitha të dhënave që kemi në MMPH, ju sigurojmë se as kompanitë në fjalë dhe as pronari i tokës, nuk ka aplikuar dhe nuk është pajisur me Pëlqim Mjedisor nga MMPH-ja”, bën të ditur MMPH’ja.

Ministria e Mjedisit thekson se çfarëdo zhvilli,i i planifikuar në afërsi të Liqenit të Badovcut duhet të jetë në përputhje me legjislacionin dhe kriteret e parapara.

Po ashtu, bëhet e ditur se vetëm pas nënshtrimit të procedurave ligjore, mund të konstatohet se a mund të realizohet ndonjë projekt në atë zonë.

“Sipas kompetencave tona si ministri, përveç pjesës së Planifikimit Hapësinor ne gjithashtu jemi përgjegjës edhe për zonat e mbrojtura dhe në rastin konkret, Zonën e Mbrojtur Ujore të Liqenit të Badovcit, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 16/127 të datës 24.04.2013”, thekson MMPH’ja. 

MMPH’ja bën të ditur se ka dërguar një shkresë për të kërkuar informata nga Komuna së Prishtinës.

“Dëshiroj të ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët e vendit se inspektorati i MMPH-së dhe Departamentet tjera përgjegjëse brenda MMPH-së do të jetë aktive në këtë çështje dhe do të kujdesen që të mos ndodhë asnjë veprim i cili mund ta cenoj zonën e mbrojtur të Liqenit te Badovcit dhe kualitetin e ujit nga kushdo qoftë”, thekson MMPH’ja.

Edhe Komuna e Prishtinës ka reaguar sot lidhur me çështjen e ndërtimeve te Liqeni i Badovcit.

Përmes një njoftimi KP’ja ka bërë të ditur se kompania nuk ka aplikuar për leje, vetëm për kushtet ndërtimore.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, theksohet në njoftim.

(Kosova Sot Online)