LDK e VV po luajnë Ping-Pong

  • 14 January 2020 - 08:08
LDK e VV po luajnë Ping-Pong

Presidenti, Hashim Thaçi dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti javët e fundit janë duke shkëmbyer letra ndërmjet vete për formimin e koalicionit.

Fillimisht presidenti Thaçi i dërgonte letra ku e ftonte për takim për të ia dhënë dekretimin e mandatarit për kryeministër.

Kurti refuzoi tri ftesa të presidentit deri sa u morën vesh që me 6 janar që të takoheshin. Por as në këtë takim, fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit nuk e mori dekretimin.

Pas këtij takimi, presidenti i ka kërkuar Kurtit që sa më shpejtë ta marr dekretimin. Gjatë ditës së djeshme, presidenti Thaçi i tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Sot, Kurti iu kundërpërgjigj duke i kërkuar presidentit që të mos bënte presion dhe se koalicioni me LDK-në është në fazën finale.

Analisti i njohur, Imer Mushkolaj po e quan këtë presion të presidentit si politik. Në një përgjigje për Indeksonline tha se nuk e kupton pse VV merret me sqarimin e përgjegjësive të presidentit.

“Presidenti po bën presion politik, e jo presion bazuar ne përgjegjësitë kushtetuese. Ai nuk mund te ndërhyjë ne proces para se Kurti te jep emrin e mandatarit. Nuk e kam te qarte pse VV merret me sqarimin e përgjegjësive te presidentit, ne vend qe te intensifikoje përpjekjet për arritjen e koalicionit me LDK. Negociatat për marrëveshje nuk mund te vazhdojnë pa fund. LDK duhet te tërhiqet zyrtarisht, nëse nuk e pranon ofertën e VV-se dhe, po ashtu, VV duhet te tregoje se si do te veproje tutje ne nje situate te tille. Qytetaret nuk mund te mbeten peng i tekave dhe dëshirave te askujt.”, u shprehë ai.

Ndryshe mendon, analisti Shkëlzen Maliqi i cili beson se presidenti Thaçi nuk ka ndërhyrë në procesin e formimit të institucioneve.

“Në kompetencat e Presidentit Kushtetuta e Kosovës numëron edhe kujdesin për funksionalitetin e institucioneve të Kosovës. Më sa di, Presidenti Hashim Thaçi ne letrat dërguar Albin Kurtit, si kryetar i LVV, nuk ka bërë ndërhyrje në procesin e formimi të institucioneve por ka kërkuar që ti dërgohet emri i kandidatit për Kryeministër, në mënyrë që të përshpejtohet krijimi i Qeverisë. Vonesat në arritjen e marrëveshjes po e brengosin edhe opinionin, kështu që korrespodenca mes Presidentit dhe kandidatit për Kryeministër nuk më duket si ndërhyrje, por stimulim. Presidenti ndoshta nuk është shprehur qartë ose ka qenë kontradiktorë kur ka kërkuar që emri t’i dërgohet për dy ditë, e që mediat e patën cilësuar si ultimatum.”, tha fillimisht ai.

Kurse, përgjigjen e LVV-së, Maliqi e quan të saktë pasi mendon ta minimizojë në maksimum kompetencat e presidentit.

“Përgjigja e VV-së mendon që të minimizojë deri në maksimum kompetencat e Presidentit, duke e quajtuar se e ka thjeshtë funksionin e një noteri. Kjo nuk është e saktë. President i ka funksionet e rëndësishme dhe procesi i nominimit të kryeministrit nuk mund të reduktohet në formalitet, sepse është akt i pazëvendësueshëm në procesin e nominimit.”

“Është e vërtetë se Kushtetuta nuk e ka saktësuar sa zgjatë procesi i dorëzimit të kandidaturës, por mund t’i lejohet Presidentit që të shpreh shqetësim për kohën e zgjatur sepse vonesa e krijimit të Qeverisë dëmton funksionalitetin e shtetit, për të cilin është përgjegjës Presidenti. Gjithsesi, Presidenti nuk e zgjedh Kryeministrin, por duhet të kujdeset për procesin dhe të ketë parasysh edhe situatën eventuale të dështimit të mandatimit dhe sigurimit të minimum 61 votave për zgjedhjen e Kryeministrit dhe inaugurimin e qeverisë.”

“Nëse post i kryeministrit do të ishte aq i parëndësishëm siç pohon VV-ja, nuk do të ishte molla kryesore e sherrit dhe do të mund të bëhej qëmoti kompromisi dhe marrëveshja. Por, nuk është ashtu.”, u shprehë Maliqi.

Sipas analistit të njohur, LDK e VV po luajnë ‘Ping Pong’ me opinioni.

“Nuk po dihet absolutisht se çka po ndodh. Nga njëra anë kemi pohime, jo prej sot por me javë, se marrëveshja është para përfundimit, sikur vetëm pritet nënshkrimi, e nga ana tjetër të dy palët luajnë ping pong me opinionin, duke thënë ne jemi OK, për marrëveshje, po presim që pala tjetër të përgjigjet pozitivisht. Kjo është një situatë qesharake dhe joserioze, ku ashiqare çështja është te pazari me postet, por edhe një lloj frike e pashpjegueshme prej marrjes së përgjegjësisë.”

“Mendoj se të dy partitë fituese të zgjedhjeve po humbin shumë nga reputacioni për shkak të vonesave që nuk po munden me i arsyetu.”, përfundoi ai. Ende nuk dihet se kur do të jetë takimi i radhës mes LDK-së dhe VV-së. Takimi i fundit mes dy partive zgjati vetëm dy orë, që ishte ndër më të shkurtrit që nga fillimi i negociatave.

(Kosova Sot Online)