Performancë vetëdijësuese kundër dhunës ndaj grave

  • 14 January 2020 - 08:21
Performancë vetëdijësuese kundër dhunës ndaj grave

Aktivistë të cilët janë bashkuar përmes faqes “Dhunuesi je ti” do të këndojnë sot përpara Qeverisë së Kosovës himnin feminist “Dhunuesi je ti” apo “Një dhunues në rrugën tënde” i grupit “Las tesis” nga Kili e cila është protestë dhe përpjekje për të ngritë vetëdijen kundër dhunës ndaj grave.

Në Kosovë, vetëm gjatë tre viteve të fundit janë vrarë 11 gra si pasojë e dhunës në familje. Në këtë periudhë ka pasur 3394 gra që kanë raportuar dhunën.

Aktivistet thonë se në Kosovë, por edhe kudo në botë, dhuna vazhdon të mos njihet në të gjitha format e saj.

Sipas tyre, dhuna seksuale, emocionale, ekonomike e fizike që ushtrohet ndaj grave normalizohet nga shoqëria dhe shteti ndërsa viktimat vazhdojnë të fajësohen e dhunuesit nuk dënohen,

“Me fjalët ‘Dhunuesi je ti!’ ne i drejtohemi institucioneve tona që shtypin e dhunojnë gratë, si ato shtetërore e shoqërore. Me këtë thirrje, ne i bashkangjitemi zërit të grave gjithandej globit në përpjekje për t’u dëgjuar si një zë i fuqishëm që kundërshton një jetë me dhunë në çdo formë”, thuhet në njoftim.

Kjo iniciativë është ndërmarrë nga aktivistë të cilët janë bashkuar përmes faqes “Dhunuesi je ti”.

Faqja “Dhunuesi je ti” është krijuat për të koordinuar performancën e himnit global feminist “Një dhunues në rrugën tënde” në Prishtinë.

(Kosova Sot Online)