Fuqitë evropiane aktivizojnë mekanizëm të veçantë për traktatin bërthamor me Iranin

  • 14 January 2020 - 12:53
Fuqitë evropiane aktivizojnë mekanizëm të veçantë për traktatin bërthamor me Iranin

Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania kanë konfirmuar të martën se e kanë aktivizuar mekanizmin e mosmarrëveshjes në lidhje me traktatin bërthamor me Iranin për shkak të shkeljeve të vazhdueshme që republika islamike ia ka bërë kësaj marrëveshjeje.

Megjithatë, shtetet më të rëndësishme evropiane thanë se nuk do t’i bashkohen fushatës së Shteteve të Bashkuara për sanksione të reja kundër Iranit.

“Ne nuk e pranojmë pretendimin se Irani ka të drejtë ta pakësojë përmbushjen e zotimeve në bazë të marrëveshjes bërthamore”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tri vendeve.

“Po e marrim këtë veprim në mirëbesim me qëllim të ruajtjes së marrëveshjes bërthamore dhe me shpresë të sinqertë për t’i zgjidhur mospajtimet përmes dialogut konstruktiv diplomatik, duke mbetur njëkohësisht brenda kornizave të marrëveshjes”, theksohet më tej në këtë dokument.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga kjo marrëveshje në vitin 2018 me arsyetimin se ajo nuk ia kufizon mjaftueshëm Iranit mundësitë për zhvillimin e armëve bërthamore.

Në anën tjetër, Irani e ka tejkaluar kufirin për pasurimin e uraniumit, i cili i përcaktohej me këtë marrëveshje. Fuqitë evropiane po mundohen ta bindin vendin aziatik që të heqë dorë nga shkeljet e pikave të traktatit, shkruan “Reuters.

(Kosova Sot Online)