Flet profesori i së drejtës: Kështu funksionon lidhja mafio-politike në sistemin e drejtësisë

  • 16 January 2020 - 07:38
Flet profesori i së drejtës: Kështu funksionon lidhja mafio-politike në sistemin e drejtësisë

“Sistemi prokuroria dhe gjyqësor janë mekanizma ku çdo gjë mundë të kërkohet, por drejtësi kurrsesi. Rasti i theksuar dhe shume raste të tjera flasin se ku kemi rënë. Nuk do fare diskutim dhe as nuk kërkohet analizë shumë e thellë për të kuptuar se në këto sisteme kemi familjarizim, korrupsion dhe forma tjera antiligjore të krijimit të pasurisë që kanë bërë shkatërrimin e tërësishëm të sistemit”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi duke parë dhe vlerësuar rrjedhën e fillimit dhe të përfundimit të procesit gjyqësor ndaj ish zyrtarëve të PDK-së lidhur me klanin “Pronto”, thekson se në këtë rast është vërejtur fare mirë se vërtetë në Kosovë nuk mundë të ketë aspak drejtësi, përderisa i tërë sistemi manipulohet dhe kontrollohet nga një grup njerëzish të fuqishëm, sikur që është grupi i klanit “Pronto” që emëron dhe urdhëron si të veprohet në drejtësi, duke filluar nga policia, prokuroria dhe në gjykata.

Kelmendi i bazon këtë në faktin e bazuar në të dhënat që tregojnë për lidhje të ngushta me politikën dhe familjarizim te punësimet në sistemin e drejtësisë, e më konkretisht, duke ju referuar njeriut të klanit “Pronto”, kryegjyqtarit të Apelit, Hasan Shala, i cili është njeriu më i besuar i Adem Grabovcit, Hashim Thaçit e Kadri Veseli.

Image
Muhamet Kelmendi

“Sistemi prokurorial dhe gjyqësor janë mekanizma ku çdo gjë mundë të kërkohet, por drejtësi kurrsesi. Rasti i theksuar dhe shume raste të tjera flasin se ku kemi rënë. Nuk do fare diskutim dhe as nuk kërkohet analizë shumë e thellë për të kuptuar se në këto sisteme kemi familjarizim, korrupsion dhe forma tjera antiligjore të krijimit të pasurisë që kanë bërë shkatërrimin e tërësishëm të sistemit. Të vjen shumë rëndë kur e dëgjon kryeprokurorin e shtetit duke thënë: "Vajza e ime e punësuar në Gjykatën e lartë Supreme ka treguar sukses më të mire dhe prandaj është pranuar aty në marrëdhënie pune". Kjo deklaratë fletë vet. Nuk ka gjykatës dhe prokuror që nuk e ka të punësuat vajzën, djalin apo vëllamin në sistem. Të gjithë këta janë të aftë aa! Hajde oj poshtërsi hajde”, thotë Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, të gjithë ata që kanë punësuar të afërmit e tyre në drejtësi ku punojnë edhe vetë, kanë ushtruar ndikimin e lidhjeve të ngushta miqësore, shoqërore e familjare, duke keqpërdorë pozitën, por tani arsyetohen kinse ka qenë mundësi e aftësive profesionale.

“Po shesin “dushk të gogla’ dhe po mendojnë se po ju shitet. Çështja tjetër është nënshtrimi dhe koordinimi i njerëzve të sistemit të drejtësisë me politiken. Kjo donë të thotë që pasi vjedhje ti edhe unë po vjedhë dhe le ta tolerojmë njëri-tjetrin se kështu fitojmë të dyja palët në këtë vend. Dhe, natyrisht se këto dy kategori janë shndërruar në qyfterët më të pasur në Kosovë. Madje i kalojnë shume edhe nga sektori privat. E tërë kjo tregon se në Kosove pa VETTIN nuk ka drejtësi. Dhe, ky VETTING do të duhet të jetë i ashpër dhe i rëndë, sepse do të duhet ti kapë shumë veta në këto dy mekanizma të sistemit tonë në Kosovë”, deklaron Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)