“Koalicioni Vetëvendosje-LDK”, paralajmërohen pazare të dëmshme për Kosovën

  • 16 January 2020 - 13:41
“Koalicioni Vetëvendosje-LDK”, paralajmërohen pazare të dëmshme për Kosovën

“Pas këtij veprimi skandaloz të Albin Kurtit për zgjerimin e 'qeverisë', qytetarët do të bien në depresion edhe më të thellë, pasi që shpresat për ndryshim po vdesin akoma pa lindur qeveria”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Florim Zeqa e cilëson jo serioze ofertën e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj LDK-së, që propozon shtimin e numrit të ministrive edhe për dy ministri të tjera, nga 12 në 14.

Image
Florim Zeqa

“Konsistenca në mbajtjen e qëndrimeve dhe mbrojtja e parimeve e kishin bërë Albin Kurtin jo vetëm të veçohet prej liderëve tjerë partiak, por të jetë i dashur për qytetarët dhe respektuar prej oponentëve politik. Rrëshqitja drastike e Albin Kurtit me zgjerimin e “Qeverisë', jo vetëm që nuk paraqet kompromis politik, është shkelje e parimeve dhe premtimeve bazike të marrëveshjes, i shndërruar tani në pazar i pastër politik. Shkelja e parimeve dhe vënia në pazar e posteve politike e ka nivelizuar Albin Kurtin me liderët e tjerë partiak. Shkelja e parimeve dhe premtimeve është manipulim i votës dhe shkelje e vullnetit të elektoratit për ndryshim. Me këtë po dëshmohet se edhe VV-ja bashkë me LDK-në, që duke e rritë numrin e ministrive tani nga 12 që proklamoheshin tërë kohën, në 14 ministri, se nuk dallojnë aspak nga të gjitha partitë tjera, sepse kjo që po ndodh në këtë fazë të marrëveshjes është pazar i pastër politik dhe kontrabanim i posteve për kënaqjen e egos për pushtet në gjysmë shtet”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online” .

Sipas tij, ky ndryshim në qëndrime është një mashtrim i madh për qytetarët, të cilët veç kanë filluar të zhgënjehen si në raport me LVV-në, ashtu edhe me LDK-në, sepse sipas Zeqës, këto parti politike pas pazareve me poste, mundë të futen edhe në pazare të tjera, madje shumë të dëmshme për shtetin e Kosovës. 

“Pazari me poste politike ende pa u formuar qeveria ka thyer shpresat e qytetarëve për ndryshime. Kush mund të besoj, që nesër ky pazar të mos ngritët akoma më lartë, nga 14 mund të shkojë në 16, 18 apo 20 ministri, e të mos flasim për numrin e zv. ministrave dhe këshilltarëve që nuk mund ta kontrolloj askush nga qytetarët e vendit. Kush mund të besoj tutje që edhe Albin Kurti nuk do të bëjë pazare me territore të vendit ngjashëm sikurse pararendësit e tij me Daçiqin e Vuçiqin. Pas këtij veprimi skandaloz të Albin Kurtit për zgjerimin e 'qeverisë', qytetarët do të bien në depresion edhe më të thellë, pasi që shpresat për ndryshim po vdesin akoma pa lindur qeveria”, shton Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, nëse dikush ka pasur një fije shprese se në Kosovë mund të kthehet sundimi i ligjit dhe qeverisja për interesa të shtetit dhe qytetarëve, ajo shpresë u fundos në greminë,

“Tani më për qytetarët e vendit, pak ka rëndësi kur dhe si formohet qeveria. E vetmja fije e shpresës për qytetarët e vendit ka mbetur tek ngjizja e një force të re politike nga elita intelektuale në Diasporë, në bashkërendim me forcat progresive në Kosovë, për të përmbysur një herë mirë këtë klasë kusarësh politik që po bëjnë pazare me poste politike për marrjen e pushtetit dhe që bëjnë pazare më pastaj me territor të vendit për ti mbajtur ato poste”, përfundon analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)