Arrestohen dy të rinj pasi vjedhën vegla pune e rroba në Vushtrri

  • 17 January 2020 - 09:31
Arrestohen dy të rinj pasi vjedhën vegla pune e rroba në Vushtrri

Një rast i veprës penale ‘vjedhje e rëndë në tentativë’ është raportuar gjatë natës në Stacionin Policor në Vushtrri, ku si rezultat i një reagimi të shpejtë, njësitet policore kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë dy persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘vjedhje e rëndë në tentativë’.

Arrestimi i dy të dyshuarave është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe prova të siguruara se rreth orës 03:30 të datës 17 janar 2020, në rrugën ‘Trepça’’ në Vushtrri, dy të dyshuarit në bashkëveprim, në një shtëpi private kanë kryer veprën penale ‘vjedhje e rëndë në tentativë’, me ç’rast nga shtëpia kanë vjedhur vegla të ndryshme pune dhe veshmbathje të ndryshme.

Sendet e vjedhura pas procedurave të nevojshme i janë kthyer pronarit. Ndërsa pas procedurave intervistuese, dy të dyshuarve E. Sh., 25 vjeçar dhe A. V., 23 vjeçar, të dy shtetas të Republikës së Kosovës, u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

(Kosova Sot Online)