Hoti: Kurti i hëngri fjalët e veta

  • 17 January 2020 - 09:44
Hoti: Kurti i hëngri fjalët e veta

Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po merren vesh për koalicion tash e 100 ditë.

Këto dy parti ka disa ditë që po shkëmbejnë letra me një tjetrën duke refuzuar një pas një propozimet e njëra-tjetrës. Madje nëpër emisione televizive, secila parti po hedh akuza në drejtim të njëra-tjetrës duke zbuluar pjesë nga takimet e shumta që kishin në përpjekje për të arritur një marrëveshje.

Anëtari i kryesisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë detaje edhe për takimet që kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka pasur gjatë këtyre muajve me kreun e VV-së, Albin Kurti në përpjekje për të arritur një marrëveshje bashkëqeverisjeje.

Ai ka thënë se Kurti ka dhënë llogari për deklaratat se të gjithë kryeministrat kanë vjedhur. Siç është shprehur Hoti, Kurti i ka “hëngër këto fjalë”.

I pyetur për akuzat e Kurtit se të gjithë kryeministrat kanë vjedhur, duke përfshirë këtzu edhe Mustafën, Hoti u përgjigj.

“Kurti pastaj i hëngri fjalët e veta. Më lejoni  ta respektoj konfidencën e takimeve, por kjo që e ka thënë i ka ra pishman sepse nuk e gjen një zyrtar të LDK-së që mund ti atribuohet një akuzë e tillë”, është shprehur  shkurt Hoti.

(Kosova Sot Online)