Sulmohet Qendra e Mjekësisë Familjare në Pejë

  • 17 January 2020 - 12:04
Sulmohet Qendra e Mjekësisë Familjare në Pejë

Policia Rajonale e Pejës ka njoftuar se sot rreth orës 03:50, disa persona kanë hedhur një mjet të improvizuar ndezës, në derën anësore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë.

Sipas të dhënave nga punëtorët e qendrës, është dëgjuar një krismë (shpërthim), dhe menjëherë të njëjtit kanë dalë dhe kanë vërejtur zjarrin i cili kishte kapluar hyrjen e lartcekur, ku zjarrin kanë arritur ta shuajnë me anë të aparateve për fikjen e zjarrit.

Policia bën me dije se menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative-hetimore.

“Njësitet relevante të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, janë duke punuar intensivisht në bashkëpunim të plotë me prokurorin e Shtetit, për të zbuluar të gjitha rrethanat e këtij rasti, si dhe për të identifikuar personat e dyshuar”, thuhet në komunikatën e Policisë.

(Kosova Sot Online)