Shpërthen profesori i njohur për aferën Badovci, akuza të rënda ndaj Shpendit: I lidhur me bosët e krimit

  • 17 January 2020 - 14:09
Shpërthen profesori i njohur për aferën Badovci, akuza të rënda ndaj Shpendit: I lidhur me bosët e krimit

“Edhe ky rast është një nga shumë të tjera të njëjta dhe të ngjashme në të cilat, në vend të përfilljes së akteve ligjore aplikative në funksion të ruajtjes, mbrojtjes e përparimit të ambientit, përfillen interesat e bosëve të parave të pista, degradohet, degjenerohet mjedisi jetësor edhe ashtu i populluar dhe i deformuar në trajta më se të ndryshme!”, thotë profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës Riza Smaka, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth shqetësimit që kanë ngritur qytetarët lidhur me projektin për ndërtimin e një kompleksi me një lagje vilash në zonën e Liqenit të Badovcit, për të cilin projekt, komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, më 20 dhjetor të vitit të kaluar ka lëshuar vendimin për caktimin e kushteve ndërtimore për projektin pranë Liqenit të Badovcit, në kundërshtim me vendimin përkatës të Qenërisë së Kosovës.

Sikur është bërë publike, në dokument shkruan se “lëshimi i saj bëhet në përputhje me Planin Zhvillimor të Komunës së Prishtinës”, i cili është miratuar nga Kuvendi Komunal në gusht të vitit 2013 dhe sipas hartës të paraqitur në të, një pjesë e zonës afër Liqenit të Badovcit shënohet si e urbanizuar.

Por, kjo është në kundërshtim me një vendim të Qeverisë së Kosovës të 24 prill 2013, i cili e ka shpallur Liqenin e Badovcit zonë të mbrojtur.

Profesor Smaka, njohës me përvojë i së drejtës, konsideron se kjo është edhe një dëshmi se si komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti, po vazhdon të udhëhiqet duke bërë shkelje flagrante të ligjeve dhe akteve të tjera që rregullojnë funksionimin e pushtetit lokal në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të resurseve natyrore.

Prandaj sipas Smakës, për këtë gjendje alarmante që është krijuar, për të gjitha këto vite te keq qeverisjes me Prishtinën, veçmas në këto dy mandatet e Shpend Ahmetit, organet e drejtësisë duhet të marrin masa dhe përgjegjësit t’i nxjerrin para drejtësisë.

Sikur që dihet publikisht, Shpend Ahmeti akuzohet vazhdimisht nga analistët dhe qytetarët për pazaret e tij kriminale me shitjen e lejeve ndërtimore.

Sipas analistëve, me këto veprime të fundit dëshmohet se edhe Plani Zhvillimor PZHU, është plan ilegal dhe kriminal i punuar ekskluzivisht për interesa të nëntokës kriminale, prandaj urgjentisht duhet të nisin hetimet dhe Shpend Ahmeti të përfundojë në burg, duke nxjerrë aktakuzë nga Prokuroria Speciale kundër Shpend Ahmetit dhe klikës së tij, por edhe ndaj oligarkëve të tipit të Arbër e Latif Kryeziut, AL PETROL dhe ROYAL-it, i cili nuk ka vend në Prishtinë e deri në Badovc që nuk ka marrë leje ndërtimore, sipas analistëve, duke i blerë këto leje ndërtimore përmes rrjetës së krimit të organizuar brenda Komunës së Prishtinës.

Image
Riza Smaka

“Duke vepruar në kundërshtim me ligjet në fuqi, dhe duke shkelur edhe vendimet dhe rregulloret e veta të ligjshme, Komuna e Prishtinës dhe kryetari Shpend Ahmeti, e kanë sjellë Prishtinën me rrethinë në kulmin e deformimit dhe degradimit për shkak të kushteve të favorshme që i kanë krijuar mafies së ndërtimeve, e që tani një rrezik i tillë po i kanoset e Badovcit. Edhe ky rast është një nga shumë të tjera të njëjta dhe të ngjashme në të cilat, në vend të përfilljes së akteve ligjore aplikative në funksion të ruajtjes, mbrojtjes e përparimit të ambientit, përfillen interesat e bosëve të parave të pista, degradohet, degjenerohet mjedisi jetësor edhe ashtu i populluar dhe i deformuar në trajta më se të ndryshme!”, thotë profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas profesor Smakës, ndërtimet që janë duke u bërë në Prishtinë, qofshin ato me leje të kundërligjshme dhe jashtë standardeve të përcaktuara, por edhe ato pa leje ndërtimore, para të cilave i mbyllë sytë komuna, kanë krijuar kaos urbanistit dhe atmosferë tepër të zymtë në Prishtinë, kurse drejtësia as që merret me hetimin e abuzimeve të tilla.

“Ndërtimet ilegale, vend e pa vend, jashtë standardeve ndërtimore e rregullave urbanistike, krijojnë panorama të zymta, të errëta, të murrme, të rënda e ngulfatëse. Për të qenë e keqja edhe më e spikatur virtuelisht askush nga abuzuesit me ambientin tonë të degraduar gjithandej, jo vetëm në Prishtine, deri sot nuk iu ka nënshtruar procedimit ligjor për dhënie të llogarisë e të përgjegjësisë! Gjendja e tillë është alarmante, dëshpëruese e irrituese!", deklaron profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova sot Online”.

(Kosova Sot Online)