Zbulohet plani i Vetëvendosjes për krijimin e Qeverisë, pa LDK-në!

  • 17 January 2020 - 17:35
Zbulohet plani i Vetëvendosjes për krijimin e Qeverisë, pa LDK-në!

Lëvizja Vetëvendosje është në pritje të përgjigjes përfundimtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Por, nëse nuk arrihet marrëveshja me partinë e drejtuar nga Isa Mustafa, Vetëvendosje, paralajmëron që do të mund shkojë edhe në qeveri të pakicave.

“Ne po insistojmë në një marrëveshje të drejtë me LDK-në si partner në qeverisje dhe do të tentojmë që deri në fund ta arrijmë. Edhe qeveria e pakicave është një opsion, por ne jemi të vendosur që të punojmë drejt një marrëveshje me LDK-në”.

Sveçla tha se LDK duhet të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm të saj dhe më pas të vendosë për ofertën e Albin Kurtit, që sipas tij, është shumë gjeneroze.

“Në takimin e fundit të dy subjekteve politike ne jemi dakorduar që oferta jonë të shkojë në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së dhe të marrim përgjigje zyrtare në këtë ofertë tonën. Sa i përket letrës, oferta e Levizjes Vetëvendosje është ofertë zyrtare e kësaj partie".

Sveçla tha se janë duke e pritur përgjigjën e tyre dhe në bazë të asaj përgjigje të ndërmerren edhe hapat e ardhshëm. Brenda letrës ai tha se është edhe një kërkesë për takime me LDK-në.Zgjedhja e Glauk Konjufcës kryeparlamentar për Lëvizjen është një punë e kryer. 

“Kryetari i ri i Kuvendit, Glauk Konjufca, është zgjedhur me 75 vota dhe në mënyrë shumë demokratike. Ai është i duhur për këtë pozitë për të bërë çkapjen e shtetit dhe besoj se do të tregojë sukses. Nëse dikush ka vërejtje ndaj punës së tij ka të drejtë të bëjë kërkesën për shkarkim nëse arrijnë votat. Ai është i denjë për këtë post dhe Vetëvendosje nuk lëviz nga ky qëndrim”.

Ndërkaq, nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, sot gjatë ditës tha se ndjehet optimiste për arritjen e marrëveshjes duke thënë se partia e saj nuk do ta inicojë shkarkimin e Konjufcës nga kryeparlamentari.

(Kosova Sot Online)