Parashikimi për koalicionin: Ja vetëm kush mund ta zgjidh ngërçin Vetëvendosje-LDK

  • 18 January 2020 - 13:00
Parashikimi për koalicionin: Ja vetëm kush mund ta zgjidh ngërçin Vetëvendosje-LDK

“Ose do bëhet pazari i domosdoshëm dhe i detyrueshëm me ngrehje veshi nga ndërkombëtarët, por që nuk do të mundë të zgjas edhe aq shumë, ose do të dështon gjithçka dhe vendi do të futet sërish në një krizë të re dhe do të përfundon shpejtë në zgjedhje të reja”, thotë Badallaj për “Kosova Sot Online”.

Duke parë zhvillimet e fundit dramatike të përplasjeve mes LVV-së dhe LDK-së, që nga konstituimi i Kuvendit e këndej, analisti politik, Reshat Badallaj konstaton se qytetarët gjithnjë e më shumë po e humbin besimin në këto dy parti politike, që edhe nëse arrijnë ndonjë marrëveshje për koalicion, qeverisja e tyre nuk do të sjell ndryshimet e premtuara, as për reformat për fuqizimin e sundimit të ligjit, e të mos flasim për premtimet pompoze të zhvillimit ekonomik.

Image
Reshat Badallaj

“Martesa e tyre, edhe në qoftë se ndodhë askush s’mund ta mashtroj veten se mund të ketë jetë të suksesshme, se mundë të ketë jetëgjatësi. Kjo është më tepër se 100% e sigurt. Dhe, po që se ndodh do fillojnë përplasjet serioze dhe përpos kësaj përplasje në mes tyre, do të kenë presion nga populli, se do të bien ndesh që në fillim për çdo gjë. Presioni do të jetë se Albini nuk guxon t´i ha fjalët e tija, nuk guxon të lëpij atë që e ka pështirë vite të tëra. Akoma më i pa mundur duket ky koalicion për të funksionuar pasi që dihet se Isa Mustafa ka disa padi penale që rëndojnë në barrën e tij pikërisht nga Vetëvendosja dhe atë sikur që kanë thënë ata për hajni, sikur e kanë quajtur atëherë hajni më i madh në Ballkan dhe Evropë, Isa Zezë. Prandaj këta, LDK-ja kërkuan të sigurohen se nuk do të ndiqen penalisht dhe që ndryshe i bie se janë të përlyer jo vetëm deri në bërryl, por janë të përlyer deri në grykë”, thotë Badallaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Badallajt, me këto përplasje që tash po ndodhin së fundi, po e zhgënjen popullin tej mase, si nga sjelljet e LVV-së, ashtu edhe nga ato të LDK-së, pasi secili qytetar tash po e kupton që lufta po bëhet për karriget në qeveri, dhe jo për të mirën e vendit.

“Vetëm ndaluni dhe shikoni se çka bëjnë për pozita dhe pushtet që ndryshe thënë se më të vlefshme janë karriget se sa vendi. Edhe qytetaret e vendit tani kanë filluar në dyshimet e tyre se do të bëhen ato ndryshimet e premtuara rrënjësore dhe ato premtimet që kanë dhënë para qytetarëve që do të realizohen, sepse kanë dal mbi tavolinë shume pazare të pa parashikueshme dhe zvarritje e tepruar që është bërë edhe e neveritshme për qytetarë që kanë filluar të bëhen të pa durueshëm”, thotë Badallaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Badallajt, vetëm presioni ndërkombëtar mundë ta detyrojë arritjen e kompromisit, ndryshe marrëveshja për koalicion do të jetë e dështuar dhe bashkë me të do të dështojnë edhe premtimet mashtruese që të dy subjektet politike ju dhanë qytetarëve në fushatën zgjedhore.

“Në qoftë se ky pazar do të vazhdoj kështu edhe me tej, durimit do i vjen fundi dhe do të ndodhe diçka e pa pritur. Ose do bëhet pazari i domosdoshëm dhe i detyrueshëm me ngrehje veshi nga ndërkombëtarët, por që nuk do të mundë të zgjas edhe aq shumë, ose do të dështon gjithçka dhe vendi do të futet sërish në një krizë të re dhe do të përfundon shpejtë në zgjedhje të reja. Ajo që mundë të them është se me këtë lloj sjellje të pa përgjegjshme u bëmë rezil dhe horë, jo vetëm para qytetarëve por edhe para botës së qytetëruar, sepse bandat politike po dëshmojnë se nuk mundohen për Kosovën dhe një jetë më të mirë për qytetarët e vendit por vetëm për karrigia, se si ta kapin pushtetin dhe pastaj t´iu turren zanatit te vjetër të hajnisë sepse janë dëshmuar deri tani se e kanë në gjak këtë zeje të shëmtuar”, përfundon analisti politik, Reshat Badallaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)