Deputeti i VV’së: S’ka Qeveri të pakicës, shpejt takohen Kurti e Mustafa

  • 18 January 2020 - 13:06
Deputeti i VV’së: S’ka Qeveri të pakicës, shpejt takohen Kurti e Mustafa

Ende ka zëra brenda partive se ‘Koalicioni i Shpresës’ do të ndodhë. Madje, dikush po paralajmëron edhe takime të reja të Isa Mustafës dhe Albin Kurtit. I nominuari për Zëvendëskryeministër, Haki Abazi ka përjashtuar “Qeverinë e pakicës” por s’ka treguar se kur saktësisht do të takohet “profa me Kryeministrin në ardhje”.

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi e ka përjashtuar mundësinë e një Qeverie të pakicës derisa ka thënë se marrëveshja me LDK’së do të ndodhë shpejt. Ka thënë se edhe takimi i dy liderëve partiakë do të realizohet. Nuk ka treguar kur dhe as nëse Vetëvendosje do të pranojë kushtet e LDK’së.

“Shumë shpejtë do të ndodhë takimi mes dy liderëve, nuk e di saktë kur por do të ndodhë”, ka thënë Abazi, në një intervistë për media.

Ai ka cituar deklaratat e Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit se do të kthehen në bisedime për ndërtimin e koalicionit që para gjashtë muajsh quhej i “Shpresës”.

 “Ishte deklarata e zonjës Osmani dje si dhe deklarata e kryetarit të LDK-së Isa Mustfaës dje e sot ishte që duhet të kthehemi të bisedojmë dhe ti tejkalojmë pengesat”, tha Abazi.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë dështuar të arrijnë marrëveshje edhe më shumë se tre muaj prej se kanë përfunduar zgjedhjet. Madje, s’janë pajtuar për ndarjen e pozitave as pas votimit të Kryetarit të Kuvendit në fund të vitit të kaluar. Prej gjashtë muajsh, Kosova vazhdon të funksionojë me Qeveri në dorëheqje.

Pavarësisht kësaj, i nominuari i Albin Kurtit për pozitën e zëvendëskryeministrit, Haki Abazi është shprehur i bindur se koalicioni VV-LDK do të ndodhë.

Madje, ai ka thënë se s’do të ndodhë as Qeveria pakicës.

“Qeveria e pakicës nuk është zgjidhje dhe është krejt e panevojshme. Mendoj që ky koalicion do të ndodhë, dhe nuk ka nevojë për formacione tjera”, ka thënë ai.

Dy liderët e partive, VV-së dhe LDK-së kanë ndërprerë takimet për më shumë se një javë dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra tjetrës se si të formohet qeveria.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka kërkuar që dy partitë ti kthehen tryezës së negociatave.

“Unë shoh absolut disponim pozitiv nga të dyja anët edhe nga LDK-ja edhe nga VV-ja që të kthehen në tryezë të diskutimit për me e realizu marrëveshjen”, tha ai.

Ish-anëtari i shoqërisë civile ka thënë se edhe intervista e sotme e Isa Mustafës është nxjerr nga konteksti.

“Është nxjerrë nga konteksti, deklarata e Isa Mustafës, zakonisht shkoqiten pjesëza të deklaratave dhe bëhen lajme negative”, ka thënë Abazi.

Isa Mustafa, në një intervistë me shkrim, përshkroi negociatat me Vetëvendosjen si në kohë lufte. Tha se VV veproi me logjikën luftës ku okupohen territore e pastaj bisedohet për pjesët tjera të mbetura.

Megjithëkëtë, Haki Abazi thotë qëndrimet individuale të zyrtarëve partiakë s’duhet të lexuar si qëndrimet përfundimtare por si pozicione për të forcuar pozitën negociuese.

 “Unë mendoj që të gjitha këto që thuhen janë pozicione të fazës së përafruar, secili që flet, flet prej idesë që faza finale të mbetet ose aty ose afër pozicionit ku është dhënë oferta. Pra, nuk është ideja që në mënyrë përfundimtare me cilësu fazën që jemi, por më shumë është pozicionim përbrenda procesit dhe në atë formë duhet me i lexu qëndrimet e zyrtarëve individualë derisa nuk është qëndrim i të gjithë kryesisë së njërës palë ose palës tjetër”, ka thënë Abazi të shtunën për media.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa ishin takuar një ditë pasi kishin përfunduar zgjedhjet e 6 tetorit. Kishin thënë se koalicioni do të arrihej më së largu 72 orë pasi të certifikoheshin zgjedhjet.  Tash, kur më 26 dhjetor është votuar Kryetari i Parlamentit, Vetëvendosje po refuzon të kthehet prapa dhe të shkarkojë ose detyrojë të japë dorëheqje njeriun që i kishte qëndruar Kurtit afër edhe kur pjesa më e madhe e njerëzve të partisë ia kthyen shpinën.

Albin Kurti ka thënë se Glauk Konjufca s’është Kadri Veseli për ta shkarkuar kur dy liderë partish merren vesh.

(Kosova Sot Online)