Zëdhënësi i PDK’së: VV’ja përveç e paaftë, edhe e papërgjegjshme dhe mashtruese

  • 18 January 2020 - 21:24
Zëdhënësi i PDK’së: VV’ja përveç e paaftë, edhe e papërgjegjshme dhe mashtruese

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka reaguar ndaj justifikimeve të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për gjoja pengesat që po i kanë për formimin e institucioneve.

Bytyçi vlerëson se partia e Albin Kurtit po dëshmohet çdo ditë se është parti mashtruese, e papërgjegjshme dhe e paaftë të udhëheqë me shtetin e Kosovës.

“Paaftësinë e saj për ta formuar koalicionin qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje sot ia paska adresuar një formacioni politik imagjinar. Partia e Albin Kurtit, jo vetëm është e paaftë, por është edhe e papërgjegjshme dhe mashtruese. Partia Demokratike e Kosovës, si parti opozitare, e fton LVV-në që të pushojë me këto lojëra fëmijërore, sepse bëhet fjalë për shtetin e Kosovës, e jo për ndonjë forum të tyre politik. Le ta formojë Qeverinë sa më parë, edhe pse, siç po shihet, Kosova dhe shoqëria e saj nuk do të përfitojnë asgjë”, ka shkruar Bytyçi në faqen e tij në Facebook.

Ky reagim i këshilltarit të Kadri Veselit vjen pikërisht pas disa deklaratave të zyrtarëve të Vetëvendosjes të cilët sot gjatë ditës janë deklaruar se shteti i kapur nga partitë që e kanë udhëhequr po u pengon ta formojnë Qeverinë.

Zëdhënësi i PDK-së e ka ftuar me këtë rast Vetëvendosjen që ç’kapjen e shtetit ta fillojë nga Komuna e Prizrenit, ku Vetëvendosje qeveris, e ku siç ka shkruar Bytyçi, gjysma e kabinetit është nën aktakuza për korrupsion dhe abuzim të detyrës zyrtare.

(Kosova Sot Online)