Reshjet e mëdha të borës përfshijnë Kanadanë Lindore

  • 19 January 2020 - 08:32
Reshjet e mëdha të borës përfshijnë Kanadanë Lindore

Qeveria federale e Kanadasë do t’i ndihmojë autoritetet lokale në rajonin Newfoundland në bregdetin e Oqeanit Atlantik për ta larguar sasinë e madhe të borës që ra në këtë zonë. Mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike dhe rrugët janë të mbyllura për qarkullim.

Stuhia dimërore solli reshje të borës deri në 76 centimetra të premten dhe të shtunën në qytetin St John’s, i cili është kryeqytet i rajonit Newfoundland. Përpos borës, stuhia u përcoll me erëra që e arritën shpejtësinë deri në 130 kilometra në orë.

Kryetari i këtij qytetit, Danny Breen, tha se gjendja emergjente, e shpallur të premten, do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Dyqanet dhe aeroporti i qytetit janë mbyllur.

Ministri i burimeve natyrore, Seamus O’Regan, tha të shtunën se për këtë gjendje mund të thirren rezervistët e ushtrisë, por qeveria ende nuk i ka publikuar hollësitë e ndihmave që do t’i ofrojë. Qëllimi i parë është largimi i borës nga rrugët që dërgojnë në spitalin e qytetit.

Televizioni CBC raportoi se një burrë 26-vjeçar është zhdukur pasi ishte nisur drejt shtëpisë së një shoku në kohën kur qyteti ishte përfshirë nga stuhia e borës, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)