Liderët botërorë mblidhen në Berlin për ta zgjidhur konfliktin e Libisë

  • 19 January 2020 - 09:20
Liderët botërorë mblidhen në Berlin për ta zgjidhur konfliktin e Libisë

Përfaqësuesit e më shumë se dhjetë shteteve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Turqinë dhe Rusinë, pritet të takohen sot në Berlin në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur në Libi dhe parandalimin e asaj që mund të jetë krizë e re e refugjatëve, e ngjashme me atë të Sirisë.

Kina, Britania e Madhe, Italia, Franca, Egjipti, Algjeria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu pritet t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre në këtë samit, i cili do të udhëhiqet nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Zyrtarët gjermanë thanë se në këtë takim të nivelit të lartë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Ligës Arabe. 

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenti turk, Rexhep Erdogan, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, tashmë kanë arritur në Berlin ose e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Një zyrtar amerikan, i cili është pjesë e delegacionit të sekretarit Pompeo, tha se problemi i Libisë gjithnjë e më shumë po i ngjan Sirisë, ku në luftën e gjatë civile janë vrarë qindra mijëra njerëz dhe janë zhvendosur miliona të tjerë, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)