Kthehen në Ukrainë trupat e 11 viktimave të aeroplanit të rrëzuar në Iran

  • 19 January 2020 - 14:12
Kthehen në Ukrainë trupat e 11 viktimave të aeroplanit të rrëzuar në Iran

Janë kthyer në Ukrainë trupat e 11 viktimave që vdiqën nga rrëzimi i aeroplanit në Iran.

Të gjithë 176 personat që ndodheshin në aeroplanin e kompanisë “Ukraine International Airlines” vdiqën pasi aeroplani u sulmua me raketë përmes sistemit të mbrojtjes ajrore në Iran.

Shumica e viktimave ishin iranianë ose qytetarë me shtetësi të dyfishtë. Në mesin e tyre ishin edhe 57 kanadezë, ndërsa nëntë ukrainas ishin pjesëtarë të ekuipazhit. 

“Sot në aeroportin e Boryspil-it, familjet e viktimave dhe i tërë kombi e kanë mundësinë të bëjnë homazhe para trupave të udhëtarëve dhe ekuipazhit ukrainas, të cilët janë kthyer në atdhe”, shkroi ministri i jashtëm ukrainas, Vadym Prystaiko.

Trupat u nxorën nga një aeroplan ushtarak dhe u nderuan me ceremoni zyrtare nga ushtarët që mbanin flamuj pranë tyre.

Irani ka thënë se është duke i analizuar të dhënat e kutive të zeza të aeroplanit, duke i mohuar raportimet se është marrë vendim për dërgimin e tyre në Ukrainë, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)