Hasani: Sjellja e Thaçit në raport me mandatarin është huliganizëm i sofistikuar institucional

  • 19 January 2020 - 16:04
Hasani: Sjellja e Thaçit në raport me mandatarin është huliganizëm i sofistikuar institucional

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Hashim Thaçi po bën sjellje prej huligani kur po bën presion mbi fituesin e zgjedhjeve. Ka thënë se Presidenti po tenton të imponojë zgjidhje politike që është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, duke iu përgjigjur deklaratës së presidentit Hashim Thaçi se ai tashmë e ka nënshkruar nominimin e emrit për kryeministër nga partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse kjo parti nuk i ka dërguar ende emrin për mandatar, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe aktgjykimi i vitit 2014, ka thënë se sjellja e presidentit është një lloj “huliganizmi i sofistikuar institucional”.

Hasani ka thënë se Presidenti Thaçi, me këtë qasje, synon ushtrim presioni në partitë politike me qëllim të diktimit të një lloji të caktuar të zgjidhjes politike.

“Kjo mënyrë e sjelljes së Presidentit të Republikës paraqet një lloj të sofistikuar të huliganizmit institucional që mëton ushtrim presioni në partitë politike me qëllim të diktimit të një lloji të caktuar të zgjidhjes politike. Kjo është tërësisht e papranueshme në aspektin kushtetues”, ka thënë Hasani, raporton Koha.net.

Për herë të parë, Presidenti ka thënë se Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve është nominuar publikisht për Shef të Qeverisë si dhe ka caktuar gjysmën e emrave të Ministrave.

Këtë paralajmërim Shefi i Shtetit e ka bërë pas takimit m William Wolker, i cili vizitoi Presidentin dhe kërkoi që formohet Qeveria për të lënë ish-Kryeministrin pa punë.

“Jam duke menduar se do ta pranojë sepse është një rregull i pashkruar se në momentin kur Kryetari i Partisë së Parë, e ka mandatuar Partia, e ka nominuar më shumë se gjysmën e Qeverisë, në konsultim e sipër edhe në kuptim zyrtar merr nominimin”, ka thënë Thaçi, pas takimit me William Wolker.

Por, sipas ish-kreut të kushtetueses, roli i Presidentit të Republikës në këtë fazë dhe në të gjitha fazat tjera të procesit të formimit të qeverisë “është rol pasiv, neutral në tërësi ndaj proceseve e dinamikave politike që zhvillohen rreth formimit të organeve qendrore të pushtetit të dala nga vullnetit i votës së lirë të qytetarit të Kosovës”.

Presidenti, sipas tij, nuk përfaqëson unitetin politik të popullit por unitetin kushtetues dhe institucional, gjë që nënkupton se “Presidenti duhet t’i lejojë përfaqësuesit e votës së lirë që vet të zgjidhin problemet politike sipas Kushtetutës”.

Njohësi i çështjeve kushtetuese thotë se nëse partia fituese e zgjedhjeve, në këtë rast VV, e vonon nominimin e mandatarit për qeveri, presidenti mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim të kësaj rrethane, por thotë se “e humb rastin sepse nuk ka të drejtë, as në aspektin formal – procedural e as në aspektin e të drejtës materiale kushtetuese”.

“Në aspektin formal, ka kohë që Gjykata Kushtetuese ka abdikuar nga e drejta për të pranuar si palë të autorizuar institucionet shtetërore qendrore jashtë kontekstit të nenit 113 të Kushtetutës. Në aspektin material, ndërkaq, nuk mund të ketë një interpretim tjetër kushtetues veç atij të dhënë në vitin 2014 në rastin e njohur si VLAN I dhe VLAN II. Kjo është kështu sepse në atë kohë Gjykata Kushtetuese nuk ka krijuar normë të re por ka interpretuar normën ekzistuese, e cila akoma gjendet në Kushtetutë. Vendimet e Gjykatës në këtë rast janë përgjigjur në dy pyetje: e para, çka nënkuptohet me fitues të zgjedhjeve; dhe, e dyta, çka nënkuptohet me procedurën e njëjtë në raundin e dytë të zgjedhjes së kryeministrit”, thotë Hasani, ndërsa sqaron dy pyetjet:

“Për pyetjen e parë ne kemi konstatuar me plot të drejtë se fitues i zgjedhjeve për qëllimet e fitimit të së drejtës procedurale për të udhëhequr vallen e formimit të institucioneve të reja është vetëm ajo parti apo ai koalicion që ka shumicën relative të votave, kurse si procedurë e njëjtë në rastin e dytë kemi konstatuar se është ajo procedurë që është fare e njëjtë por me kandidatin tjetër. Këtu kemi shtuar se ai/ajo kandidat tjetër për kryeministër mund të jetë edhe nga partitë tjera që kanë kaluar pragun, por me dy kushte: e para, që partia fituese nuk guxon dhe nuk mund të përjashtohet nga gara; dhe e dyta, që partitë politike dhe koalicionet që kanë kaluar pragun të japin pëlqimin për një gjë të tillë”.

Siç thotë Hasani, këto dy kushte janë thelbësore për të kuptuar diskrecionin që Gjykata ia ka njohur Presidentit në rastin e dytë, pra që procedura në tërësi është e njëjtë dhe, siç e ka shprehur Gjykata, diskrecioni duhet të zhvillohet brenda kritereve mbizotëruese. Këto dy si më sipër, thotë Hasani, janë kriteret kyçe mbizotëruese.

“Vlerësimi i Presidentit nëse janë plotësuar kushtet mbizotëruese është zero sepse ai/ajo nuk ka asnjë prerogativë për t’i vlerësuar nëse janë plotësuar kriteret mbizotëruese krye në vete. Kjo sepse diskrecioni është kategori juridik-kushtetuese dhe jo politike që lejon arbitraritet që varet nga vullneti i një individi. Shefi i Shtetit, në një demokraci kushtetuese parlamentare, siç është Kosova, asnjëherë nuk është në pozitë institucionale dhe tjetër për të bërë vlerësime politike që diktojnë vullnetin politik të votuesit, sepse ajo u takon partive politike dhe asnjë institucioni tjetër që nuk është pushtet”, thekson ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese.

Në fund, ai thotë se “Presidenti Republikës nuk është pushtet, ai/ajo është njëri ndër mekanizmat kushtetues balancues i tri pushteteve të tjera: legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit”.

(Kosova Sot Online)