Zbulohen ‘skenaristët’: Ja penguesit kryesor të koalicionit Vetëvendosje-LDK

  • 20 January 2020 - 07:44
Zbulohen ‘skenaristët’: Ja penguesit kryesor të koalicionit Vetëvendosje-LDK

“Për aq sa janë të vërteta ato që i thotë Rexhep Selimi se "Thaçi ndoshta edhe e dirigjon LDK-në", mund të jenë të vërteta edhe ato që fliten në opinion, se Rexhep Selimi dhe të tjerët si ai, janë duke e penguar lidhjen e koalicionit qeverisës LVV-LDK, duke e dëshmuar kështu miqësinë e vjetër me Hashim Thaçin dhe armiqësinë e përbetuar ndaj filozofisë politike rugoviane. Edhe po të dojë, Hashim Thaçi nuk mund të jetë më pengues brenda LVV-së sesa Rexhep Selimi në pengimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi s’do të lejojë të ndodhë koalicioni në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës derisa ai të jetë president.

Selimi ka thënë se ka informata sipas të cilave, Hashim Thaçi do të bëjë gjithçka që ky koalicion të mos ndodhë.

“Në një mbledhje me përfaqësues të diasporës, Thaçi ka deklaruar duke thënë se do të bëjë çmos që ky koalicion të mos ndodhë. Thaçi edhe me parë ka thënë, për sa kohë do të jem në këtë zyre të presidencës, ky koalicion nuk do të ndodhë kurrë. Mysafirët e tij kanë qenë përfaqësuesit e diasporës”, ka thënë Selimi.

Lidhur me këtë deklarim të Rexhep Selimit, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Florim Zeqa.

Sipas Zeqës, nuk përjashtohet fare ndikimi pengues i Thaçit për ta bërë koalicionin LVV-LDK, porse aq ndikim negativ dhe pengues ka edhe vetë deputeti që e akuzon Hashim Thaçin.

Image
Florim Zeqa

“Deklaratat e Rexhep Selimit, ish Ministrit të parë të Punëve të Brendshme në 'Qeverinë e Përkohshme' të Hashim Thaçit, të kujtojnë atë thënien famoze "Aty ku ka tym, ka edhe flakë", duke vërtetuar kështu ndikimin e jashtëzakonshëm të Hashim Thaçit në LDK dhe LVV”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas Zeqës, njerëz të Hashim Thaçit tani janë instaluar në strukturat e shumicës së partive politike, edhe në LVV dhe LDK, prandaj Selimi e ka thënë një gjë të tillë.

“Përderisa në strukturat drejtuese të LVV janë të instaluar ish ministra dhe deputet të PDK-së, vartës të Hashim Thaçit, në LDK numri i vartësve të Hashim Thaçit është akoma më i madh dhe i pambarim, filluar nga drejtuesit e partisë e deri tek ish ministra dhe zyrtarë të nivelit të lartë dhe lokal të LDK-së, që janë të lidhur ngushtë me Hashim Thaçin përmes bizneseve dhe veprimtarive tjera afariste. E dhimbshme, por shumë e vërtetë, që eksponent të caktuar të LDK-së, më shumë i kanë frikën Hashim Thaçit sesa “zotit në qiell”, ashtu sikurse që ka individ brenda VV-së që punojnë më shumë për llogari të Hashim Thaçit sesa të Albin Kurtit”, thekson Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sikur të ishte ndryshe, sipas Zeqës marrëveshja për bashkëqeverisje në mes LVV-së dhe LDK-së do të ishte arritur që moti, menjëherë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, ashtu siç kishin premtuar liderët e këtyre dy partive.

“Ditëve të fundit janë duke qarkulluar zëra brenda LDK, se e kanë të pamundur të hyjnë në bashkëqeverisje me LVV-në, shkaku i përfshirjes së disa zyrtarëve të lartë të kësaj partie në afera korruptive dhe kriminale, dhe se insistimi i LDK-së në marrjen me çdo kusht të Ministrisë së Punëve të Brendshme konsiston në supozimet e sipërpërmendura, mirëpo edhe pengesat tjera të individëve janë reale dhe po e zhvillojnë suksesshëm ndikimin e tyre. Për aq sa janë të vërteta ato që i thotë Rexhep Selimi se "Thaçi ndoshta edhe e dirigjon LDK-në", mund të jenë të vërteta edhe ato që fliten në opinion, se Rexhep Selimi dhe të tjerët si ai, janë duke e penguar lidhjen e koalicionit qeverisës LVV-LDK, duke e dëshmuar kështu miqësinë e vjetër me Hashim Thaçin dhe armiqësinë e përbetuar ndaj filozofisë politike rugoviane. Edhe po të dojë, Hashim Thaçi nuk mund të jetë më pengues brenda LVV-së sesa Rexhep Selimi në pengimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Kur jemi në këtë segment, Rexhep Selimi para se të merret me deklaratat qofshin hipotetike apo të vërteta të Thaçit, bën mirë t'i tregoj opinionit publik, se ku e kanë burimin pakënaqësisë me ish shefin e tij, presidentin aktual të Kosovës”, shton Zeqa për “Kosova Sot Online”.

“Nga konstatimet e mësipërme, po vërtetohet se Hashim Thaçi ende e dirigjon çdo gjë në Kosovë, mbi dhe nën tokë, përfshirë edhe LVV-në dhe LDK-në, të cilat po sillen si shpërfillësit më të pa përgjegjshëm dhe tërësisht jo serioz të votës së qytetarit të mashtruar të Kosovës posa përfunduan zgjedhjet dhe tash po bëjnë tregti për pozita në kapjen e institucioneve të shteti”, përfundon Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)