Vajza e ish-presidentit të Angolës u bë miliardere përmes nepotizmit

  • 20 January 2020 - 08:50
Vajza e ish-presidentit të Angolës u bë miliardere përmes nepotizmit

Janë zbuluar skemat e ndërlikuara financiare, me të cilat Isabel dos Santos, gruaja më e pasur në Afrikë dhe vazja e ish-presidentit të Angolës, krijoi pasuri prej 2.2 miliardë dollarësh.

E njohur si “princesha”, zonja Santos është e bija e ish-presidentit të Angolës, Jose Eduardo dos Santos, i cili u largua nga kjo pozitë në vitin 2017. Babai i saj e kishte udhëhequr vendin e pasur me naftë për gati katër dekada, ndërsa ajo ka mohuar se pasurinë e ka krijuar përmes nepotizmit dhe korrupsionit.

Megjithatë, përmes një hulumtimi të 20 gazetarëve nga pjesë të ndryshme të botës është zbuluar se Dos Santos ka përfituar nga mundësitë e jashtëzakonshme që ia ka ofruar qeveria e udhëhequr nga babai.

Biznesmenja që shumicën e kohës e kalon në Londër kontrollon kompani të ndryshme në Afrikë dhe Evropë, përfshirë sektorët e bankave, telekomit, diamanteve, alkoolit, rrjetit të dyqaneve dhe pasurive të paluajtshme.

Tri javë më parë, prokurori i përgjithshëm i Angolës mori vendim për ngrirjen e të gjitha aseteve të Dos Santos-it dhe bashkëshortit të saj, duke thënë se marrëveshjet e tyre me kompaninë shtetërore të naftës dhe kompanitë e diamanteve e kanë dëmtuar shtetin për rreth 1 miliard dollarë.

Dos Santos i ka tri prona në Londër me vlerë të 24 milionë funteve, një jaht me vlerë të 29.5 milionë eurove, një rezidencë në Dubai, një pronë luksoze në Lisbonë dhe një pronë me vlerë të 50 milionë eurove në Monako, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)