U përleshën me çiftin, grabitësit të njohur të familjes Laze, dinin gjithçka për shtëpinë

  • 20 January 2020 - 10:27
U përleshën me çiftin, grabitësit të njohur të familjes Laze, dinin gjithçka për shtëpinë

Autorët e njihnin shumë mirë banesën dy katëshe në Allias të familjes Laze dhe gjithashtu edhe lëvizjet e familjarëve. Në këtë përfundim ka arritur grupi hetimor dhe kjo është pista ku po heton për zbardhjen e tentativës së grabitjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Njazi Meka” në Tiranë.

Grabitja që mbeti në tentativë është kryer nga persona të njohur me familjen Laze ose punëtorë të saj.

“Pjesa e pasme e banesës nga ku çifti hynte në shtëpi ndryshe nga pjesa e përparme ku ndodhej dhe biznesi nuk ka pasur kamera dhe këto të dhëna janë ditur nga autorët, çka sipas policisë, përforcon dyshimet se grabitësit kanë pasur shumë informacion për familjen dhe gjendjen e banesës. Policia ka shoqëruar të gjithë punëtorët dhe po merren në pyetje për të zbuluar se ku ndodheshin ditën e djeshme gjatë kohës së grabitjes”, raporton gazetarja e News 24.

Por një problem për grupin e hetimit përbën moti pasi mbrëmjen e kaluar pasi kryeqyteti ka qenë i mbuluar nga mjegulla. Për këtë arsye nuk është arritur të zbulohet lloji i mjetit me të cilin janë arratisur autorët, të cilët kanë qenë të maskuar.

Petrit dhe Afërdita Laze janë përleshur me grabitësit që kanë qenë dy dhe janë plagosur prej tyre në pjesën e poshtme të trupit. Dëshmitare ka qenë dhe vajza e tyre, e cila ka dhënë dëshminë e saj në polici. Ndërsa djali adoleshent i familjes nuk ka qenë i pranishëm, pasi kishte dalë me shokët. Pikërisht kjo gjë mund të ketë ngatërruar edhe autorët, të cilët kanë menduar se familja ndodhej jashtë Tiranës, pasi lëvizte vazhdimisht gjatë fundjavave.

(Kosova Sot Online)