Serbia vazhdon të armatoset, blen nga Rusia gjashtë sisteme raketash Pantsir-S1

  • 20 January 2020 - 11:33
Serbia vazhdon të armatoset, blen nga Rusia gjashtë sisteme raketash Pantsir-S1

Një burim brenda sektorit për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes në Kremlin i ka thënë agjencisë “Sputnik” se Rusia dhe Serbia e kanë nënshkruar marrëveshjen për shitblerjen e gjashtë sistemeve raketore Pantsir-S1.

“Marrëveshja për një bateri të këtij sistemi është nënshkruar vitin e kaluar. Puna është duke u zhvilluar dhe marrëveshja do të kompletohet brenda këtij viti”, tha ky burim.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, e kishte përmendur blerjen e këtij sistemi në tetor të vitit të kaluar.

Sistemi i raketave tokë-ajër Pantris-S1 shërben për mbrojtjen e objekteve ushtarake dhe industrial nga kërcënimet e ndryshme që vijnë përmes ajrit.

Rusia e ka eksportuar më parë këtë sistem edhe në vende të tjera, përfshirë Vietnamin, Sirinë, Iranin, Irakun, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë.

Një njësi e këtij sistemi kushton rreth 14 milionë dollarë dhe ka filluar të prodhohet në vitin 2008, shkruan “Sputnik”.

(Kosova Sot Online)