Krasniqi për paraqitjen e sotme të Kurtit: Jeta institucionale nuk është videolojë

  • 20 January 2020 - 12:38
Krasniqi për paraqitjen e sotme të Kurtit: Jeta institucionale nuk është videolojë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasniqi i PDK-së, pas mbledhjes së kryesisë ka kritikuar Albin Kurtin, liderin e LV-së për vonim të krijimit të institucioneve të reja.

“Diskutuam për dy tri pika të cilat i keni pa, kanë kaluar një muaj prej formimit të kësaj kryesie dhe kjo është mbledhja e parë, e thirrur jo për të trajtu ligje por për shkak se institucionet ndërkombëtare na kanë imponu, edhe delegacionit që i caktuam pati dilema, sepse një gjë po dihet sigurt se përfaqësues të opozitës jemi ne, për përfaqësues të pozitës ende nuk e dimë sepse ska shumicë parlamentare”, ka deklaruar ai.

Krasniqi thotë se kërkesa e PDK-së është që sa më shpejtë të krijohet qeveria, duke thënë se Albin Kurti duhet të dijë se jeta institucionale nuk është video lojë.

“Kanë kaluar rreth 106 ditë prej kur kanë kaluar zgjedhjet, më shumë ditë kanë kaluar prej certifikimit, ne sot skemi as qeveri as kuvend funksional, kërkesa jonë në vazhdimësi ka qenë ata që kanë fitu dhe që kanë mandate sa më shpejt t’i përmbushin obligimet e tyre, Albin Kurti si mandatar duhet ta dijë se jeta institucionale nuk është video lojë dhe lojërat me videot nuk i kryjnë punët të cilat i presin qytetarët”, tha Krasniqi.

Ai ka shtuar se barra e përgjegjësisë bie mbi partinë e parë, duke thënë se nëse nuk formohet qeveria deri në mars do të ketë bllokadë. 

“Kanë mbetur 15 ditë ne duhet të ja kujtojmë që barra e përgjegjësisë i bie atij, barra për mungesë të institucioneve i bjen atij. Ne presim obligimet që i kanë t’i kryejnë sa më herët që është e mundur, ju e dini që kur të vijmë në muajin mars do të kemi një bllokadë të cilën nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës”, tha Krasniqi.

Tutje, shtoi se PDK-ja është e vendosur për qëndrimin në opozitë.

“Pozicioni i Partisë Demokratike është i qartë, hala pa dalë rezultatet e kemi bë të qartë se në këtë mandate ne qëndrojmë në opozitë, ne deri në zgjedhje të ardhshme qëndrojmë në opozitë, jo që s’kemi marrë ftesa edhe nëse do të merrnim ftesa ne nuk do të ju kishim përgjigjur atyre”, deklaroi ai.

(Kosova Sot Online)