Akuza e rëndë ndaj Isa Mustafës dhe Albin Kurtit: Loja me Hashim Thaçin...

  • 20 January 2020 - 13:05
Akuza e rëndë ndaj Isa Mustafës dhe Albin Kurtit: Loja me Hashim Thaçin...

 “E vërteta është se koalicionin po e pengojnë dhe pa mundësojnë vetë Albin Kurti dhe Isa Mustafa sepse ata janë dy eksponentët kryesor të këtyre dy partive politike. Janë fillimisht apetitet e mëdha të Albin Kurtit për të marr sa më shumë pushtet dhe për ta nënshtruar për toke LDK-në, është një faktor, dhe faktori tjetër është në lojërat e ndyra të Isa Mustafës i cili herë po e deklaron se po e merr atë e herë këtë pozitë, pastaj qohet dhe e voton një agjent të SHIK-ut për kryetar Kuvendi, sikur që ishte Glauk Konjufca pa kushte dhe tash kërkon që ta kthen prapa atë pozitë, duke luajtur ping pong me pozita të larta të shtetit”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik dhe profesori universitar, Jeton Kelmendi i quan të pa vërteta deklarimet e deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit, sipas të cilit është Hashim Thaçi ai që po e pengon dhe pamundëson koalicionin në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Analisti Kelmendi thotë se pengesa kryesore e lidhjes së marrëveshjes për koalicion mes LVV-së dhe LDK-së janë dy kokat lideriste të këtyre dy partive politike, që të vetmin synim e kanë arritjen e qëllimeve klienteliste partiake për kapjen e sa më shumë hise në qeverisje dhe kapjen e shtetit, se sa interesin e vendit dhe qytetarëve, ashtu sikur që kishin premtuar dhe kishin mashtruar gjatë fushatës zgjedhore.

Image
Jeton Kelmendi

“Deklarata e deputetit Selimi, se kinse ka thënë Hashim Thaçi që nuk do ta lejon krijimin e koalicionit LVV-LDK, është vetëm një mashtrim ordiner nga ana e deputetit, sepse nuk ka ligj as nuk ka mundësi as teorike dhe as praktike, nuk ka logjikë fare por ka vetëm marrëzi nëse besohet në këtë çështje, në këtë punë sepse Hashim Thaçi nuk është “zoti” mbi të gjithë por është një njeri që ushtron vetëm detyrën e presidentit dhe ai e ka për obligim që ta mandaton të parin, partinë fituese, dhe dihet fare mirë që Hashim Thaçi nuk po i prishë mes tyre LVV-në dhe LDK-në , por po i prishin vetëm apetitet e tyre të mëdha për sa më shumë pushtet gjë që po shihet e dëgjohet ashiqare”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Kjo ego për sa më shumë pushtet, sipas Kelmendit po mbizotëron te shumica e njerëzve me ndikim të të dyja partive politike, prandaj po bëhet e pamundshme arritja e një marrëveshje kompromisi.

“E vërteta është se koalicionin po e pengojnë dhe pa mundësojnë vetë Albin Kurti dhe Isa Mustafa sepse ata janë dy eksponentët kryesor të këtyre dy partive politike. Janë fillimisht apetitet e mëdha të Albin Kurtit për të marr sa më shumë pushtet dhe për ta nënshtruar për toke LDK-në, është një faktor, dhe faktori tjetër është në lojërat e ndyra të Isa Mustafës i cili herë po e deklaron se po e merr atë e herë këtë pozitë, pastaj qohet dhe e voton një agjent të SHIK-ut për kryetar Kuvendi, sikur që ishte Glauk Konjufca pa kushte dhe tash kërkon që ta kthen prapa atë pozitë, duke luajtur ping pong me pozita të larta të shtetit. Pra kur i shohim të gjitha këto, nuk mundë të thuhet se është fajtor Hashim Thaçi por ky deklarim është një marrëzi nëse dikush i beson kësaj sepse është vetëm përpjekje për mashtrim ordiner nga ana e deputetit Rexhep Selimi që nuk duhet marr seriozisht askush, as mediet dhe as qytetarët”, shton Kelmendi për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Kelmendit, edhe po të kishte provuar Thaçi ta bëjë një pengesë të tillë, nuk do të arrinte në asnjë mënyrë, pasi që LVV dhe LDK që tani i kanë të garantuara më shumë se 70 deputetë për ta votuar qeverinë e re, por problemi është brenda partive politike.

“Derisa ish partnerët e koalicionit të PAN-it, u desh të dalin jashtë koalicionit dhe ti blejnë deputetët e AKR-së së Behgjet Pacollit, që kishin fituar vota duke qenë në një koalicion krejt tjetër, dhe kështu arritën që ta krijojnë qeverinë me minimumin e votave, me vetëm 62 vota, këta qysh tani i kanë të sigurta 78 vota, së bashku me minoritete, dhe nuk po arrijnë, është e pa kuptueshme që tash për këtë të akuzohet dikush tjetër se po pengon, duke qenë krejtësisht jashtë kësaj loje. Kjo i bije sikur të thuhet se po më pengon për të shënuar gol para portës dikush që është ulur në tribunat e stadiumit. Pra këtë pengesë nuk mundë ta bëjë dikush nga tribunat por problemi është pse nuk po “shënojnë gol” vetë lojtarët që janë në fushë, problemi është që nuk po bëjnë koalicion vetë këta lider politik që për ego të pushtetit nuk po merren vesh, e që lojtarët kryesor në këtë mes fushe janë Albin Kurti dhe Isa Mustafa të cilat nuk po dëshirojnë ta bëjnë koalicionin sepse janë njerëz nihilistë që më shumë e duan interesin e tyre personal se sa Kosovën dhe interesin e qytetarit që jua dha votën”, përfundon Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)